Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 11:49

Tiranë (PLOTËSUAR 13:41) – Konferenca e kryetarëve miratoi të premten në unanimitet kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator-23 shtator dhe Programin e punës për periudhën 5 shtator-14 tetor.

Konferenca vendosi gjithashtu që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të hënën më 5 shtator, ora 18:00.

Nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli u mblodh sot konferenca e kryetarëve për fillimin e sesionit të pestë të Legjislaturës XVIII, ku morën pjesë kryetarët e grupeve parlamentare, nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.

Kryetarja Topalli ftoi kryetarët e grupeve parlamentare të nisin punën për ngritjen e Komisionit për Reformën zgjedhore, si edhe theksoi domosdoshmërinë e votimit sa më parë të ligjeve të rëndësishme si ai për ngritjen e Gjykatës Administravtive dhe të Kodeve, ligje të cilat kërkojnë 3/5 e votave të parlamentit.

********************************

Tiranë – Konferenca e kryetarëve e grupeve parlamentare është mbledhur paraditen e sotme në Kryesinë e Kuvendit, nën drejtimin e kryetares, Jozefina Topalli.

Mbledhja, ku marrin pjesë dhe përfaqësuesit e opozitës përmes kryetarit të grupit socialist, Gramoz Ruçi, do të vendosë për kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, i cili çel të hënën (5 shtator) punimet e sesionit të ri parlamentar.

Një ditë më parë, kryetarja Topalli ftoi opozitën të jetë pjesë e axhendës së Kuvendit dhe të japë kontributin e saj për reformën zgjedhore dhe plotësimin e 12 rekomandimeve të KE-së për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.