Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 18:30

Tiranë – Opozita nuk do të votojë amnistinë fiskale të propozuar nga qeveria.

Një ditë përpara se projektligji për Amnistinë Fiskale të diskutohet në seancën plenare të rradhës të Kuvendit, opozita bën zyrtar qëndrimin për mosvotim të ligjit në fjalë.

Anëtari i Komisionit të Ekonomisë, deputeti i PS, Arben Ahmetaj, thotë se nuk është moment i duhur për amnisti dhe kjo nismë është ndërmarrë nga qeveria për qëllime elektorale.

Sipas tij, miratimi i këtij projektligji kërkon plotësimin e disa kushteve, ku më kryesori është transparenca e plotë.

Opozita shqiptare nuk miraton momentin e zgjedhur nga qeveria për propozimin e amnistisë fiskale dhe procedurat e përshpejtuara të ndjekura për kalimin e saj në parlament.