Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 13:09

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare se bojkoti parlamentar e ka kryer misionin e vet, ndërsa strategjia dhe beteja dyvjeçare e opozitës për mbrojtjen e votës së lirë e ka dhënë rezultatin e vet të shkëlqyer.

“Duhet të përgatitemi për jetën parlamentare, sezoni i ri duhet të jetë sezoni i nismave”, tha Rama.

Kreu socialist theksoi se pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Kolegjit më 6 korrik, puna e kësaj force politike do të vazhdojë, ndërsa vuri theksin te krijimi i aleancave te reja, duke dhënë siguri se nuk do të ketë asnjëherë bashkim me atë që Rama e quajti politika e vjetër.

“Duhet t’ua provojmë të gjithëve se jemi partia e madhe evropiane e shqiptarëve. Zgjedhjet e 8 majit na krijojnë mundësinë ideale për ta çuar përpara betejën tonë se në të gjithë atë që ndodhi, sidomos në Tiranë, ka shumë për të menduar e konkluduar. Ne do të angazhojmë dy grupe të Asamblesë Kombëtare që jo vetëm do të hartojnë programe, por do të startojnë një proces që do të ketë përfshirje të madhe”, tha Rama.

Kreu i PS-së tha se fokusi i vëmendjes nga beteja për Tiranën do të vijojë, pasi, sipas tij,  ekzistojnë fakte të pakundërshtueshme për një vjedhje të paprecedent.