Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 12:02

Tiranë – Kuvendi diskutoi të enjten, në seancë plenare, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për shlyerjen e borxhit të Shqipërisë ndaj Serbisë”.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi deklaroi se qeveria shqiptare po negocion me të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë për zgjidhjen e borxheve të krijuara para vitit 1990. Aktualisht, bëri të ditur Vokshi, borxhi për Republikën e Serbisë nga 31 marsi i vitit 2006 deri më 30 shtator të vitit 2009 arrin në shumën 8.5 milionë dollarë.

Deputetja Vokshi bëri të ditur se, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në mars të këtij viti nga ministria e Financave, skemat e riskedulimit të këtij borxhi është me dhjetë këste të barabarta që do të paguhen çdo 6 muaj, në datën 31 mars dhe 30 shtator, me normë interesi libor 6-mujor në dollarë, ndërsa interes-vonesa është libor 6-mujor plus 2 % në vit.

Borxhi i qeverisë shqiptare ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë i marrë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1990, arrin në shumën 23.8 milionë dollarë.

Me këtë projektligj qeveria shqiptare është në përfundim të mbylljes së detyrimeve të trashëguara nga regjimi ish-komunist.

Projektligji për shlyerjen e borxhit me Serbinë është pjesë e negociatave dypalëshe të qeverisë me të gjitha shtetet, me të cilat marrëveshjet bazoheshin në të ashtuquajturin “sistem i kleringut”, ku vendi ynë, megjithëse e kishte të ndaluar me Kushtetutë marrjen e ndihmave të kredive nëpërmjet “sistemit të kleringut”, akumuloi një borxh të konsiderueshëm, po të kemi parasysh përmasat e ekonomisë shqiptare të këtij vendi.

Në vitet ’94-’95, Shqipëria ka qenë një vend i bllokuar në marrëdhëniet ekonomike dhe në kryerjen e pagesave me të gjitha vendet e botës. Për rrjedhojë, në vitin 1994, klubi i Parisit, me iniciativën e Bankës Botërore, bëri zhbllokimin, duke marrë përsipër shlyerjen e 75% të borxheve tregtare të asaj kohe. Në këtë shumë nuk përfshihen marrëveshjet e negociuara vit pas viti me të gjitha vendet ish-komuniste, pasi këto ishin të vetmet vende me të cilat ne kishim bashkëpunim ekonomik.

Ekspertë të ekonomisë bëjnë të ditur se tregtia me këto vende bazohej në mallra, por mallrat shqiptare ishin gjithmonë në raporte deficitare. Sipas tyre, shpeshherë janë prekur edhe rezervat valutore për blerjet që bëheshin në atë kohë.