Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 08:51

Tiranë – Qeveria shqiptare, në mbledhjen e radhës, vendosi të akordojë një ndihmë financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i ndodhur 3 vjet më parë në Gërdec të bashkisë së Vorës.

Qeveria vendosi që Bashkisë Vorë, në buxhetin e vitit 2011, t`i akordohet fondi financiar shtesë prej 6 509 400 lekësh për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15.3.2008, në fshatin Gërdec, për pagesën e qirave të banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore, që ndodhen brenda perimetrit 300 metra linear rreth kraterit, zonë e shpallur si zonë e sigurisë së lartë.

Fondi i akorduar, prej 6 509 400 do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe për zbatimin e tij ngarkohen ministri i Financave, ministri i Brendshëm, prefekti i qarkut Tiranë, si dhe bashkia Vorë.