Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 18:24

Tiranë – Kuotat e pranimit në universitetet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2011-2012 janë 25. 183, sipas vendimit të qeverisë, që ka hyrë në fuqi një 1 javë më parë, pas botimit në fletoren zyrtare.

Vendimi përcakton shpërndarjen e këtyre kuotave sipas degëve për çdo universitet publik, si dhe pagesat që duhen kryer për regjistrimin në to. Ndërkohë, studentët që vijnë nga shtresa sociale si, të verbër/të shurdhër, invalidë, invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, jetimë, fëmijë romë, ballkano-egjiptianë, fëmijë të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. 
Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2011-2012, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, përbëhen nga kuotat për kandidatët brenda territorit të vendit, për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit, për të verbrit dhe për romët (ballkano-egjiptianë). Ndërkohë, vendimi përcakton edhe kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Shqipërisë. 
Pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë bëhet nëpërmjet parimit meritë-preferencë dhe në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3). Shpërndarja e maturantëve, kandidate në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë publik, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore (merita), si dhe përzgjedhjes së programeve të studimit (preferenca), të bërë nga vetë kandidati/ja.