Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 13:21

Tiranë – Në pritje të nënshkrimit të marrëveshjes, minatorët e Bulqizës janë mbledhur sërish sot, përpara zyrave të kompanisë Albanian Crom “ACR”, për të marrë një vendim në lidhje me ofertën e bërë ditën e martë nga kjo kompani koncensionare.

Oferta re e “ACR”, e cila nuk parashikon largimin nga detyra të administratorit të firmës, plotëson të gjitha kërkesat e tjera të minatorëve, rritjen e rrogës, uljen e moshës së pensionit, kryerjen e investimeve si dhe lejimin e nënshkrimit të marrëveshjes edhe nga kreu i sindikatës së minatorëve, Taf Koleci.

Ky i fundit gjatë paradites së djeshme, së bashku me komisionim e grevës, vendosën që një përfaqësi e minatorëve të takohet me kreun e bashkisë së Bulqizës, Roland Keta, për të diskutuar në lidhje me propozimin e ri të kompanisë ACR dhe për të përcaktuar nëse do të ketë marrëveshje apo vazhdim të protestave.

Protestat kanë nisur tre muaj më parë, kur minatorët e gjigandit të kromit në Bulqizë, të përkrahur nga kreu i konfederatës së minatorëve, Kol Nikolla vendosën të bojkotonin punën për të kërkuar rritje rroge 20-40 për qind, kushte më të mira pune, uljen e moshë së pensionit dhe largimin nga detyra e përfaqësuesit të firmës koncensionare “ACR”.

Kjo e fundit nga ana e saj, pas shumë tratativash të dështuara me minatorët, pranoi të rrisë rrogën dhe të kryej investimet e parashikuara në kontratën me pronarin legjitim të minierës, Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës (METE), që nga ana e saj i pezulloi licencën ACR-së deri në kryerjen e investimeve.

Ndërkaq, gjatë ditëve të fundit minatorët kanë kërkuar një vëmendje më të madhe nga Qeveria duke i kërkuar asaj të rishikojë statusin e tyre dhe të vendosë në vend dinjitetin e punëtorëve të minierave, duke përfshirë këtu edhe kërkesat e mëparshme të tyre.