Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 10:07

Tiranë – Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i kërkon Gjykatës së Lartë gjykim të plotë të çështjes, që lidhet me vidio regjistrimin e një bisede, mes z.Meta, në atë kohë ish-zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, për afera korruptive.

 

Përmes një Memoje, avokatët e z. Meta,  Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja, i kërkuan të dielën Gjykatës së Lartë, të detyruar edhe nga kërkesa e vendosur e të mbrojturit prej tyre, z. Meta, si dhe mbi motivin e lartë shtytës të zhvillimit të një procesi gjyqësor të plotë, debatues dhe me fuqi jo vetëm për nxjerrjen e së vërtetës, por edhe çertifikimin e saj, deklarojnë se heqin dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake e konkretisht nga “Deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet.

Memoja thekson se, “me qëllim shpjegimin më në detaje të kësaj tërheqjeje të pjesshme, qartësisht pohojmë se e gjitha lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta, për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm procedurialisht. Gjithsesi, vlerësimin e këtij fakti, pra regjistrimin pa emër të kësaj çështje, në regjistrin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm prej një kohe të gjatë, e çmojmë të nevojshëm për të konstatuar papërgjegjshmërinë hetimore të organit të prokurorisë dhe provuar njëanshmërinë ekstreme të tij”.

“Për sa i takon kërkesave të tjera paraprake që lidhen me aktet e ekspertimit, dëshmitë e marra në kundërshtim me ligjin, dhe provat materiale të marra në të njëjtën formë, ripohojmë se u qëndrojmë dhe mbi pranimin e tyre, presim me besim vendimin tuaj të datës 11.06.2011”, thuhet në kërkesën e avokatëve të z. Meta, drejtuar Gjykatës së Lartë Tiranë.