Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 10:43

Tiranë – Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu shprehu sot në Kuvend, angazhimin e ministrisë për të bashkëpunuar me pushtetin lokal në vendosjen e një rregulli të qartë për mirëadministrimin e pyjeve në të gjithë vendin.

Shqyrtimi i pr/ligjit “për aderimin e Shqipërisë në marrëveshjen ndërkombëtare të lëndës drusore tropikale 2006” shkaktoi reagimin e opozitës për situatën e sistemit pyjor në vend që, sipas saj, gjatë 20 viteve të fundit i është nënshtruar shfrytëzimit pa kriter dhe shkatërrimit të paligjshëm.

Në reagim të këtyre kritikave, ministri Mediu e vuri theksin tek përgjegjësia e autoriteteve lokale, që pasurinë pyjore ta kthejnë në dobi të komunitetit dhe jo në shërbim të trojeve për ndërtim, apo shfrytëzimit pa kriter.

“Janë me qindra rastet e penaliteteve, me të cilat janë ndëshkuar subjekte apo indvidë që kanë shfrytëzuar pyjet pa kriter, ndërsa mbi 25 raste janë çuar për ndjekje penale nga ministria e Mjedisit”, tha Mediu.

Ai u shpreh se “dikasteri ynë është i angazhuar dhe i prirur për të bashkëpunuar, sidomos me strukturat lokale për vendosjen e një rregulli të qartë të mirëadministrimit të pyjeve për shmangien e prerjes së paligjshme dhe shkatërrimit tyre”.