Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 10:57

Tiranë – Nga shkurti i këtij viti, të gjitha automjetet e qytetarëve shqiptarë, nuk do të kenë më siglën dalluese nga qyteti në qytet, por do të jenë të njëjta, pavarësisht qytetit të origjinës.

Me vendimin e miratuar së fundmi nga Qeveria, me sistemin e ri të targimit, për të gjitha automjetet që targohen për herë të parë, targa do të jetë unike. Ndryshimi nga targa në targë do të jetë vetëm në varësi të klasifikimit të automjetit.

Ndonëse nuk është detyrim zëvendësimi i targës së vjetër me atë të formatit të ri, duket se ka një interesim nga ana e drejtuesve të mjeteve për vendosjen e targave të reja.

“Do t’i ndryshoj targat se dua të jem si çdo qytetar europian, sepse këto të rejat nuk kanë ndonjë ndryshim nga targat e vendeve të tjera. Do të udhëtoj me makinë për në Itali. Edhe pse kam udhëtuar herë të tjera me makinë me targat e vjetra, këto të rejat më duken dinjitoze, pasi nuk shoh ndonjë ndryshim të madh me ato të italianëve, gjermanëve apo ndonjë tjetër. Shpresoj që së shpejti në targat e makinave tona të vihet flamuri i BE-së. Kjo është arsyeja kryesore pse unë do t’i ndërroj targat”, thotë një drejtues mjeti teksa priste të bënte procedurat e ndërrimit të targës.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Arben Pinari, thotë për ATSH-në se standardet që ofron sistemi i ri i targimit , fillojnë nga dizenjimi, klasifikimi i targave, deri tek targimi i një mjeti.

Risia e këtyre targave, thotë ai, veç të tjerash është se ato përmbajnë një numër të madh kombinacionesh, duke i plotësuar më së miri standardet, si dhe detyrimet e përcaktuara në Rregulloren e Këshillit Europian “Mbi njohjen në trafikun ndërkombëtar të shenjës dalluese të shtetit anëtar, ku çdo mjet është i regjistruar”.

Pinari thotë se vendosja e targave të reja, ndërsa është një përfaqësim më dinjitoz, nga mënyra se si ato janë dizenjuar, shmang kontrollet e panevojshme të shqiptarëve jashtë vendit, duke i bërë ata të padallueshëm nga qytetarët e vendeve të tjera, e për të mos u parë më si “delja e zezë”.

Hyrja në fuqi e vendimit për sistemin e ri të targimit të automjeteve, në shkurt të këtij viti, i cili vjen vetëm tre muaj pas lëvizjes së lirë të shqiptarëve, për nga standardet dhe mënyra e dizenjimit, për shqiptarët do të jetë edhe pasaporta biometrike e mjetit.

Sipas Pinarit, vetëm në Tiranë janë zëvëndësuar me targat e reja targat e mbi 5000 automjeteve, krahas 4000 të tillave në rrethe, ndërkohë që kapacitetet e sistemit të ri të targimit të automjeteve lejojnë vendosjen deri të 7 milion targave të reja.

Të gjithë jemi dëshmitarë dhe jo rrallë na ka takuar që në qytete të ndryshme të shohim qytetarë, që edhe pse nuk ishin nga Tirana, makinat e tyre të mbanin targat e kryeqytetit. Ndofta nuk ishte inferioriteti aryseja pse ata e mbanin makinën e tyre me ato targa, por ajo që shpesh herë, ata bëheshin pre e gjobave ndoshta të pamerituara të uniformave blu që abuzonin me detyrën.

“Kam ardhur të ndërroj targën, sepse me këto të rejat nuk identifikohet qyteti, nuk do të më ndalojë Policia dhe as do të dëgjojë më buri makinash në semafor. Makinën nuk e kam me targa të Tiranës. Nuk është vetëm kjo arsyeja që dua t’i ndërroj targat, por ajo më kryesorja është se me targat e reja ndjehem më afër Europës. Me pasaportën biometrike unë jam bërë europian, pse të mos bëhet edhe makina ime”, thotë me të qeshur një i ri.

Deri më sot në se do të ndryshohej pronësia dhe përdorimi i mjetit nga një qytet në tjetrin, apo nga një drejtues mjeti tek tjetri, domosdoshmërisht duhej ndryshuar edhe targa. Me sistemin e ri të targimit të automjetit, i cili nuk përmban më siglën e qytetit të origjinës, çdo lloj mjeti, deri në ekzistencën e tij, targohet vetëm një herë, duke shmangur kështu edhe shpenzimet e panevojshme për qytetarët.

Në se dikur kishim vetëm një lloj targe, pa përfshirë klasifikimin e mjeteve, me sistemin e ri, janë futur në përdorim 24 lloj targash, duke filluar nga ciklomotori, automjetet e përdorimit vetijak të qytetarit, ato të tonazhit të rëndë, automjetet që transportojnë lëndë të rrezikshme, trupit diplomatik, etj.

Kjo, sipas Pinarit, ka shmangur çdo abuzim të mundshëm kur targa e një autoveture vendosej në një automjet të tonazhit të rëndë apo tjetër.

Standartet e BE-së kërkojnë edhe vendosjen e Taografit në çdo automjet, një pajisje që rregullon mënyrën e lëvizjes së mjetit, duke filluar nga orët e qarkullimit, kapaciteti, etj, deri tek shpejtësia e lëvizjes, si e vetmja pajisje e lidhur me sistemet e kontrollit në rrugë.

Për vendosjen e këtij elementi sigurie, Pinari tha se është drejt përfundimit projekti për hapjen e një oficine për vendosjen dhe kontrollin e kartës së Taografit, një nga standardet e kërkuara nga BE.

Ndërsa u ndal edhe tek vendimi i miratuar së fundmi nga Qeveria për “faljen fiskale”, ku përfshihet edhe ajo për automjetet që rezultojnë me detyrime të papaguara, Pinari thotë se “zbatimi i këtij vendimi do të gjenerojë një bum për shërbimet e Transportit Rrugor dhe do të nxjerrë jashtë përdorimit targat e automjeteve që nuk ekzistojnë më, apo janë të amortizuara”.

Janë rreth 160 mijë mjete në regjistrin pasiv, apo rreth 40 % e numrit të përgjithshëm të mjeteve, brenda të cilit bëjnë pjesë mjete të amortizuara, të dëmtuar, ato të shtetasve që janë larguar në emigracion, krahas një numrit të vogël që i përkasin qytetarëve, të cilët nuk kanë paguar detyrimet e tyre për automjetin.

Kjo për Pinarin është një barrë për shërbimin e Transportit, pasi është e vështirë të bëhet verifikimi i mjeteve të amotizuara, me ato të dëmtuara, etj.

Drejtori i këtij shërbimi për Tiranën, Elez Gjoza, thotë se nga hyrja në fuqi e këtij vendimi vetëm në Tiranë mbi 12 mijë automjete mbajnë targat e reja.

Heqja e siglës së qytetit ku është i regjistruar automjeti, veç të tjerash, sipas kreut të Sherbimit të Transportit Rrugor për Tiranën, Gjoza, parandalon edhe abuzimet për vendosjen e gjobave të pamerituara ndaj drejtuesve të mjeteve jashtë qytetit të tyre, të cilat jo rallë herë janë bërë pre e abuzimeve nga shërbimet e qarkullimit rrugor.