Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 11:14

Tiranë – Presidenti Bamir Topi deklaroi sot se “ajo që ende ekziston dhe që fatkeqësisht, ende përbën një pengesë publike, është diferenca midis nivelit qytetar dhe gjinor të shoqërisë me sjelljen dhe interesat elektorale të partive politike”.

Gjatë  ceremonisë së dorëzimit të diplomave në përfundim të Projektit mbarëkombëtar trevjeçar të OSBE-së, “Rritja e kapaciteteve të grave kandidate në funksion të zgjedhjeve vendore 2011”, kreu i shtetit vuri në dukje se “numri i kandidatëve femra është fare minimal”.

“Shikoni listat e kandidatëve për kryetarë të njësive vendore apo për këshilltarë në rang bashkie dhe komune. Fatkeqësisht, kemi një kontrast të thellë midis premtimeve të partive politike për rritjen e pranisë së grave në vendimmarrjet politike dhe listave zyrtare të kandidatëve”, u shpreh Topi.

Sipass tij, partitë ende nuk e kanë shndërruar në kulturë sjelljeje barazinë dhe përfaqësimin gjinor.

Duke e cilësuar këtë fakt si shenjë negative, kreu i shtetit theksoi se “kjo  duhet të na nxisë edhe më shumë për të vijuar së bashku përpjekjet për ndërgjegjësimin e aktorëve politikë dhe opinionit publik mbi nevojën e barazisë reale gjinore”.

“Rritja e pranisë së grave në vendimmarrje kërkon edhe një reflektim pozitiv të vetë grave dhe strukturave të tyre përfaqësuese në partitë politike, në parlament dhe në forumet e tyre”, tha Topi.

Në fund u zhvillua ceremonia e veçantë e ndarjes së diplomave nga Presidenti Topi për zonjat pjesëmarrëse në projekt.