Tiranë – Kolegji Zgjedhor shqyrton paraditen e sotme, ankimimin e Partisë Demokratike për konstituimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Shorti i hedhur ka përcaktuar relatore të çështjes, gjyqtaren, Neriban Mullai, e cila do të drejtojë trupën gjyqësore të përbërë nga gjyqtarët Astrit Kalaja, Petraq Dhimitri, Tom Ndreca dhe Entela Prifti.
Në ankimimin e depozituar më 12 korrik, Partia Demokratike i kërkon Kolegjit Zgjedhor shpërndarjen e mandateve të këshillit bashkiak për Tiranën, në bazë të tabelave përmbledhëse të nxjerra nga KQZ.
Më 11 korrik, KQZ nuk arriti të miratojë për mungesë kuorumi (5 vota) p/vendimin “Për shpërndarjen e mandateve për këshillin e Bashkisë së Tiranës, për zgjedhjet vendore të 8 majit”, i cili u votua në parim me 4 vota pro dhe 2 kundër.
Sipas tabelës përmbledhëse të KQZ-së për Tiranën, në bazë të votave të marra në zgjedhjet vendore të 8 majit, koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 28 vende në këshillin bashkiak të Tiranës, ndërsa koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen”, 27 vende.