Tiranë – Kuvendi miratoi sot me 71 vota pro dhe dy abstenime disa ndryshime në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, një proces i zyrtarizuar me emrin ‘census’.
P/ligji, që parashikon amendim të ligjit të miratuar në vitin 2000, synon të zgjidhë nevojat imediate për një përmirësim të kuadrit ligjor në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, që do të nisë në muajin tetor.
Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimin, Genc Pollo, duke mbrojtur nismën e qeverisë në Kuvend, tha se ndryshimet në këtë ligj janë një detyrim i qeverisë shqiptare në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Sipas tij, p/ligji ka të bëjë me adoptimin e legjislacionit europian në fushën e mbrojtjes të të dhënave personale, e cila parashikohet të ruhet me rregulla të përcaktuara.
Një tjetër element i p/ligjit janë dhe masat ndëshkimore ndaj atyre që deklarojnë të dhëna të rreme në procesin e censusit.
Gjatë seancës së sotme Kuvendi miratoi gjithashtu dhe disa p/ligje të tjera të rëndësishme, si ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për shlyerjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Republikës Serbe, si dhe disa ndryshime në ligjin “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG SH.A”, si dhe miratimin në parim të disa ndryshimeve në ligjin “Për buxhetin e vitit 2011”.
Seanca e sotme miratoi dhe dy p/rezoluta: ajo për vlerësimin e veprimtarisë së institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Ndërkohë, edhe në seancën e sotme munguan deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që vijojnë prej mëse një muaji të bojkotojnë parlamentin, në shenjë kontestimi ndaj vendimeve të KQZ-së për zgjedhjet e 8 majit në bashkinë Tiranë.