Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 15:57

Tiranë – Gjykata Kushtetuese nuk pranoi të merrte në shqyrtim kërkesën e Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve për Përsëritjen e Zgjedhjeve për kreun e Bashkisë së Tiranës. Në vendimin e shpallur nga trupa gjyqësore kushtetuese kërkesa e Partisë së Pensionistëve u cilësua e pabazë dhe pa argumente. Partia e Pensionisteve kërkonte shpalljen si të pavlefshme të procesit zgjedhor në kryeqytet për kreun e ri të Bashkisë.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet me një vendim tjetër lidhur me një kërkesë tjetër të Partisë së Pensionistëve, e cila kërkon shfuqizimin e tre neneve të kodit zgjedhor, që sipas kësaj partie janë diskriminuese për partitë e vogla. Konkretisht kërkohet shfuqizimi i neneve 69,70 dhe 87. Në argumentet e tyre pensionistët kundërshtojnë limitin prej 1% që përcakton kodi zgjedhor si kusht për partitë e vogla që të kandidojnë të pavarura në zgjedhjeve.

Ky kusht sipas kësaj partie diskriminon dhe i vë në pozitë të pabarabartë partitë politike në vend. Kushtetuesja dëgjoi dhe argumentet e Kuvendit ku përfaqësues të këtij institucioni thanë se nenet në fjalë të kodit zgjedhor nuk kanë lidhje me kërkesat e pensionistëve. Kushtetuesja dëgjoi pretendimet e palëve dhe pritet që të ketë vendimmarrje në ditët në vijim.