Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 15:20

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në ditën e parë zyrtare të nisjes së fushatës elektorale iu bëri thirrje subjekteve politike që të zhvillojnë një fushatë sa më të qetë dhe të zbatojnë kuadrin ligjor.

Në një deklaratë për shtyp të zëdhënësit të KQZ-së, Arti Lushi, thuhet se “gjatë kësaj periudhe urojmë dhe shpresojmë që subjektet politike do të ruajnë parametrat maksimalë, si në zbatimin e kuadrit ligjor, por edhe sa i takon zhvillimit të një fushate sa më të qetë dhe sa më civile, e cila duhet të shoqërohet nga një atmosferë, larg rrymës së konfliktualiteteve dhe situatave provokative dhe të zhvillohet në klimë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi”.

“KQZ shpreh bindjen se palët garuese do të dinë të ruajnë qetësine, etikën e komunikimit e debatit të bazuar në argumentin politik dhe jo në atë të gjuhës së ashpër dhe agresive”, thuhet në deklaratë.

Sipas saj, KQZ-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe me organizmat ndërkombëtare si OSBE-ODIHR dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë, por edhe me faktorin e brendshëm, në mënyrë që të garantohet një proces zgjedhor sa më transparent.