Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 10:18

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit shqyrton sot ankimimin e Partisë Socialiste lidhur me vendimet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e fituesit për bashkinë e Tiranës dhe tabelat e rezultateve për këtë zonë zgjedhore.

Ankimimi i socialistëve, i dorëzuar në Kolegj më 30 qershor, kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi dhe është i shoqëruar me dokumente që mbështesin pretendimet e opozitës për manipulime me votat.

Krahas kërkesës ankimore, PS ka depozituar në Kolegj edhe provat filmike të procesit të numërimit në KQZ, të cilat sipas saj, provojnë manipulimet e bëra.

Socialistët pretendojnë se faktet e mbledhura prej tyre janë të mjaftueshme për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë dhe rivotimin në kryeqytet, pasi sipas tyre, është cënuar parimi kushtetues “një zgjedhës, një votë”.

Më 25 qershor KQZ shpalli kandidatin demokrat, Lulzim Basha, fitues të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë Tiranë, me 93 vota më shumë se rivali i tij socialist, Edi Rama. Por, PS e kundërshtoi këtë vendim të KQZ-së, përmes një kërkese ankimore të paraqitur në Komisionin Zgjedhor.

Ky i fundit me shumicë votash e hodhi poshtë kërkesën, duke vlerësuar se Komisioni nuk kishte  kompetencë  për shqyrtimin e ankimimit në fjalë, ndërsa për pikën e dytë të ankimimit, ku kërkohej rivotim në 284 qendra votimi, ajo nuk mund të shqyrtohej për shkelje të afatit 3 ditor.

Kërkesë-padia e PS-së në Kolegj do të ketë relator gjyqtarin Astrit Kalaja, i cili do të drejtojë trupën gjyqësore të përbërë nga Sashenka Jonuzi, Dhurata Haveri, Marie Qiriazi dhe Petraq Dhimitri.