Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 10:46

Tiranë – Kolegji Zgjedhor rrëzoi paraditen e së premtes kërkesë – padinë e Partisë Socialiste, që kërkonte shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së, që shpalli fitues me 93 vota kandidatin demokrat, Lulzim Basha, si dhe për pavlefshmëri në 284 qendra votimi në Tiranë.

Në një komunikim të shkurtër të vendimit, relatorja e çështjes, gjyqtarja Sashenka Jonuzi, tha se Kolegji  rrëzoi kërkesën ankimore të PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, duke argumentuar se padia e PS-së i ka tejkaluar afatet.

Në këtë mënyrë, me vendimin e sotëm të trupës së Kolegjit, mbetet në fuqi vendimi i KQZ-së i datës 25 qershor që shpall fitues kandidatin demokrat, Lulzim Basha, me 93 vota para ndaj kandidatit socialist, Edi Rama.

Arsyetimi i vendimit të sotëm nga ana e Kolegjit pritet të bëhet brenda 3 ditëve të ardhshme, pas zbardhjes së tij.