Lajme Shqip Monday, 29 August 2011 13:32

Tiranë – Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça përshëndeti sot paradite besimtarët myslymanë me rastin e Fiter Bajramit.

“I lutem Zotit që kjo festë të sjellë tek ju gëzim, hare dhe harmoni. Le të shërbejë festa e Fiter Bajramit si një pretekst për t’u gëzuar të gjithë dhe si një pretekst për t’u bashkuar më shumë, për të kërkuar falje njëri nga tjetri, për ta shtuar dashurinë, miqësinë dhe harmoninë mes nesh”, tha Haxhi Selim Muça.

Nga selia e KMSH-së, kryetari i këtij komuniteti uroi gjithashtu që kjo festë të jetë e gëzueshme edhe për besimtarët e feve të tjera, me të cilat sipas tij, janë në harmoni të plotë.

“Kjo festë është e gëzueshme për të gjithë popullatën. Edhe njëherë ju uroj gezuar dhe për shumë vjet”, përfundoi Haxhi Selim Muça.

Festa e Fiter Bajramit, ose e Bajramit të Madh, do të kremtohet  nesër (e martë) në përfundim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.