Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 20:30

Tiranë – 157 kandidatë të Qarkut të Tiranës fituan testimin me shkrim për të ndjekur Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, që u zhvillua në ambientet e Qendrës së Formimit Policor, Sauk, Tiranë.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit benë të ditur se gjatë testimit me shkrim morën pjesë 461 kandidatë, të cilët kanë aplikuar në periudhën shtator -dhjetor 2010. Korrigjimi i testimit, ashtu sikundër dhe herët e tjera, u bë me skaner dhe kandidatët janë njohur me rezultatin e arritur. Ndërkohë që kandidatët e shpallur fitues të testimit me shkrim do t’i nënshtrohen fazave të tjera të testimit.

Me datë 6 qershor 2011 në stadiumin “Qemal Stafa” do të zhvillohet testimi fizik i tyre dhe pjesëmarrësit duhet të kenë me vete fletën e pranimit në testin me shkrim dhe kartelën shëndetësore të lëshuar nga mjeku i familjes, pasi në të kundërtën nuk do të pranohen për t’u futur në garat e testimit fizik.

Lista e pikëve të grumbulluara nga kandidatët do të publikohet edhe në faqen e internetit të Policisë së Shtetit ëëë.asp.gov.al. Lista e kandidatëve, sipas qarqeve dhe kodi i aplikimit është shpallur më datën 19 janar 2011 nga Policia e Shtetit dhe gjendet si në faqen e internetit, ashtu edhe pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe. Kandidatët duhet të paraqiten pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe, ku kanë aplikuar, për t’u pajisur me fletën e pranimit në testin me shkrim dhe kodin e aplikantit, të cilat duhet t’i kenë me vete ditën e zhvillimit të testimit me shkrim.

Policia e Shtetit, përmes këtij proçesi që është ndërtuar, bazuar në metodat më të mira perëndimore, synon përzgjedhjen e kandidatëve sa më cilësorë për të shërbyer si punonjës policie. Është objektiv parësor i Policisë së Shtetit të përzgjedhë vetëm kandidatët e kualifikuar si më të mirët, përcaktuar nga një proçes i drejtë, transparent dhe i plotë përzgjedhje, në mënyrë që të përmbushë me sukses misionin e saj dhe të sigurojë një shërbim cilësor për qytetarët, bën të ditur njoftimi i Drejtorisë së Policisë së Shtetit.