Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 12:54

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u takua sot me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe kryetarin e saj, Enver Hasani.

Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, Kryetari i Kushtetueses së Kosovës e njohu kryeparlamentaren me reformat që duhet të përballet ky institucion në Kosovë, në funksion të konsolidimit të shtetit ligjor.

Topalli tha se Parlamenti i Shqipërisë ka ndërmarrë reforma thelbësore për konsolidimin e integritetit, pavarësisë dhe profesionalizmit të sistemit gjyqësor. Në këtë pikë, ajo e vuri theksin tek mbajtja për herë të parë e seancave “Hearing” në komisionin parlamentar të Ligjeve, me kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe votimi nominal i hapur në seancën plenare për miratimin e anëtarëve, që përbën një progres të rëndësishëm.

Në vëmendje të konstitucionalistëve të Kosovës, kryetarja Topalli theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë për sistemin e drejtësisë “ndryshimet e guximshme”, siç i cilësoi ajo, reformat në këtë fushë.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës theksoi se precedentët dhe vendimet e të dy Gjykatave, janë një bazë e mirë eksperience për zhvillimin e jurisprudencës në Shqipëri e Kosovë.

Në këtë takim ishte i pranishëm dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja.