Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 16:14

Tiranë – Ish-zv/ministrja e Integrimit Evropian, Jorida Tabaku, është prezantuar sot si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, prezantoi kualifikimet profesionale dhe eksperiencën e nënkryetares Tabaku, duke theksuar se “zonja Tabaku ka një përvojë të gjatë akademike si Doktoreshë Shkencash të Ekonomisë dhe menaxhimit dhe pedagoge në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Menaxhere e sukseshme e projekteve të rëndësishme të USAID dhe Bankës Botërore, veçanërisht të lidhura me përmirësimin e  efiçencës së sektorit publik. Po kështu, ka një përvojë me shoqërinë civile, ku ka drejtuar rrjetin e studentëve të ekonomisë për një kohë të gjatë. Dhe natyrisht detyra shumë e rëndësishme si zv/ ministre e Integrimit, të cilën e ka kryer me sukses të plotë”.

Basha theksoi se “kam bindjen se emërimi i zonjës Tabaku në këtë detyrë të rëndësishme është në përputhje të plotë me frymën e Bashkisë së Tiranës, shërbimin ndaj qytetarëve, vënien e interesave të qytetarëve të parët dhe profesionalizmit”.

Basha vuri në dukje se historiku i familjes, nga e cila rrjedh zonja Tabaku dhe kredencialet e saj të forta, do të bëjnë që vënia e interesave të qytetarëve në përparësi të jetë një referen  i punës së nënkryetares së re të Bashkisë, Jorida Tabaku.

“Do t’i kërkoja nënkryetares Tabaku që të angazhohet fuqimisht në një nga prioritetet e bashkisë së Tiranës, që është zhvillimi ekonomik dhe punësimi, hapja e vendeve të punës”, tha Basha , i cili shtoi se “natyrisht edhe përvoja e saj e mëparshme është një garanci më shumë për përballjen me sukses të sfidave të mëdha që nënkuptojnë këto dy prioritete kryesore të bashkisë së Tiranës, zhvillimi ekonomik dhe punësimi”.

“Investimi ynë, puna jonë e përditshme, nuk do të jetë e shkurtër, por afatgjatë, dhe puna me rininë do të jetë një aspekt i rëndësishëm i portofolit të nënkryetares së re të bashkisë”, tha Basha.

Pasi falenderoi kryetarin Lulzim Basha dhe qytetarët e Tiranës për mundësinë që i dhanë për të bashkëqeverisur bashkinë e kryeqytetit, nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, tha se “portofoli që do të drejtoj do të jetë ambicioz dhe do të ndihmojë politikat e bashkisë në lidhje me nxitjen e punësimit, investimet e huaja, në lidhje me krijimin e vendeve të reja të punës, që do të jenë sfidat e ardhshme të bashkisë së Tiranës”.

“Në këto vite kemi pasur ndryshime në Tiranë. Por jam e bindur se kemi akoma më shumë potencial të pashfrytëzuar që sëbashku do ta shfrytëzojmë në të mirë të qytetarëve të Tiranës. Tirana nuk është thjesht një qytet, është qyteti im, ku kam jetuar pjesën më të madhe të jetës, megjithëse jam shkëputur disa vite për studime jashtë. Jam e sigurt që ato ndryshime që Tirana do ketë këto 4 vitet do të ndikojnë në brezat e ardhshëm”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, “vendosja  e qytetarëve si të parët, s’është thjesht slogan elektoral, por është një filozofi pune, një mënyrë të menduari, që ashtu si ju edhe unë e mendoj dhe bashkë do ta realizojmë”.

Përsa i përket emërimeve të tjera  në bashkinë e Tiranës kryetari Lulzim Basha theksoi se do të bëhen publike në kohën e duhur dhe ritheksoi vendosmërinë e tij se “të gjithë së bashku duhet të përqëndrojmë energjitë tona jo tek ato që na ndajnë, por tek ato që na bashkojnë”.

Jorida Tabaku ishte kryesuesja e listës së Partisë Demokratike për Këshillin e Bashkisë së Tiranës. Tabaku është diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Tiranës, në degën e Administrim Biznesit, “Doktor i Shkencave” në fushën e sipërmarrjes dhe financimit të biznesit të vogël.

Që nga viti 2002 ajo ka punuar si lektore në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej vitit 2001 ajo është anëtare e PD-së. Për mëse 5 vjet ajo ka ofruar konsulencë në kuadrin e një projekti të DFID, për shumë ministri të linjës në fushën e hartimit të politikave dhe buxhetimit.