Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 13:58

Tiranë – Kuvendi miratoi të enjten me 72 votat e deputetëve të mazhorancës projekt-ligjin “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”.

Sipas relacionit shoqërues, p/ligji përcakton bazën ligjore të ndërtimit të kësaj vepre, si dhe është një procedurë në vijim e konkursit ndërkombëtar, mbi bazën e të cilit u përzgjodh nga një juri prestigjoze ndërkombëtare, ideja fituese e kompleksit të ri parlamentar, si një projekt madhor me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.

P/ligji, i miratuar në mungesë të deputetëve të opozitës, përcakton të drejtat, detyrimet, afatet dhe procedurat për institucionet që përfshihen në ndërtimin dhe finalizimin e projektit të ndërtimit të kompleksit.

Ai parashikon, gjithashtu, që Kuvendi të jetë enti prokurues i firmës fituese të punimeve në vendin ku sot ndodhet Piramida, ndërsa Këshilli i Ministrave do të ndjekë hapat e tjerë në zbatimin e këtij projekti.

Sipas p/ligjit, për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar autoriteti shtetëror kompetent për dhënien e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTSH).

Ndërkohë, më 24 mars, një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve, atë të një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) si fituese të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, të shpallur nga Kuvendi.