Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 14:36

Tiranë – Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dekoroi të enjten me medaljen për “Shërbime të Shquara”, Atasheun Ushtarak Danez, të akredituar në Tiranë, nënkolonel Soren Knudsen, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë përmes punës së tij, si Atashe Ushtarak, në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ndërsjellët në fushën e mbrojtjes, midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës”.

Dhënia e kësaj medalje nënkolonel Knudsen, u bë në përfundim të detyrës së tij si Atashe Ushtarak (jo-rezident) në Shqipëri, si dhe me rastin e mbylljes së projektit “Për kompletimin me materiale infrastrukturore të rrjetit kompjuterik të Forcave të Armatosura Shqiptare”.

Në ceremoninë e zhvilluar në Ministrinë së Mbrojtjes, zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjen/brigade, Sandër Lleshi, vlerësoi kontributin e çmuar të Qeverisë Daneze në progresin e Forcave të Amatosura Shqiptare në rrugën e tyre të modernizimit, transformimit dhe integrimit në NATO.

Nënkolonel Knudsen, i lindur më 26 mars 1960, ka përfunduar shërbimin ushtarak më 1980 dhe më pas regjistrohet në Akademinë Mbretërore Daneze si Oficeri i ushtrisë. Pas diplomimit, ai shërbeu në poste të ndryshme si oficer. Gjatë karrierës së tij, ai ka fituar shumë eksperiencë, të cilën ai e ndau në botimet e tij të panumërta, si dhe duke kontribuar në Akademinë Daneze të Mbrojtjes.

Nënkolonelit Knudsen i janë akorduar dekorata të ndryshme nga qarqe dhe komuna të shumta nga Italia, Franca dhe sidomos nga Shqipëria. Vlen të theksohet se Nënkolonel Knudsen është “Qytetar Nderi i Burrelit” dhe “Qytetar Nderi i Dibrës”.

Gjithashtu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjen/Major Maksim Malaj, vlerësoi me medalje Majorin Niels Randolev: “Për kontributin e dhënë përmes punës së tij, si koordinator, në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ndërsjellët në fushën e Mbrojtjes, midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës”.

Majori Randolev, i lindur më 29 korrik 1956, ka një përvojë të gjerë në misionet jashtë vendit, pasi ka qenë i vendosur në Afganistan dhe Bosnje-Hercegovinë.