Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 18:04

Tiranë – Qytetarë, përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile, përzgjodhën sot me short 188 zyrtarët që do të kalojnë në kontroll të plotë për deklarimin e pasurisë dhe për konfliktin e interesave.

Në shortin e organizuar nga Inspektoriati i Larte i Deklarimit dhe Kontrollit te Pasurive, (ILDKP) me mbeshtetjen e OSBE,  u përfshirë 4692 subjektet deklarues që janë aktualisht në funksion ose që kanë qenë në detyrë deri në fund të vitit 2010.

Përcaktimi me short i zyrtarëve që do të kenë prioritet në procedurat investiguese të ILDKP, u realizua gjatë aktivitetit “ILDKP me dyer të hapura”, i cili shënon nivelin më të lartë të transparencës prej institucioneve investiguese në Shqipëri.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, Adriatik Llalla, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me publikun, u shpreh në takim se “gjatë vitit 2010, numri i rasteve të denoncuara nga publiku për zyrtarë të përfshirë në konflikt interesi apo në fshehje të pasurisë, është shumëfishuar. Falë ndërgjegjësimit të medias, shoqërisë civile dhe publikut të gjerë, edhe rezultatet konkrete të Inspektoratit të Lartë kanë qenë më të larta në planin sasior dhe cilësor”.

Më tej, z. Llalla, theksoi se dëshira e mirë e opinionit për bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë “na nxit të vazhdojmë me këmbëngulje të përhershme misionin tonë, pasi ILDKP i detyrohet publikut”.

Gjatë aktivitetit, dhjetra të pranishëm u njohën më nga afër me proceset investiguese që kryen Inspektorati i Lartë, si edhe paraqitën interesim mbi mekanizmat e hetimit administrativ që aplikon institucioni për parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve korruptive.

“ILDKP me dyer të hapura” zhvillohet për tretin vit radhazi dhe tashmë ka krijuar një traditë të rëndësishme në përmbushjen e detyrimit për transparencë maksimale të institucionit.

Në listen e zyrtareve që do te hetohen per pasurite e tyre, bejne pjese deputete, funksionare te ministrive, doganes, tatimeve, prokurorise, gjykatave etj.