Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 17:41

Tiranë – Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, priti sot në takim një grup diplomatësh të rinj nga Turqia, të cilët po vizitojnë vendet e Ballkanit në kuadër të një turi diplomatik.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Ambasadori i Turqisë në vendin tonë, Hasan S. Asan.

Pasi u uroi mirëseardhjen diplomatëve të rinj nga Turqia, ministri foli për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të gjithanshme që ekzistojnë mes dy vendeve tona.

Shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me Turqinë mike, jo vetëm në kuadrin dypalësh, por edhe atë shumëpalësh, si aleate në NATO, duke veçuar mbështetjen e Turqisë për stabilitetin rajonal, veçanërisht kontributin e saj për shtimin e njohjeve të reja të Kosovës.

Më tej, zv.kryeministri iu përgjigj interesimit dhe pyetjeve të diplomatëve të rinj, lidhur me integrimin ekonomik të rajonit, rolin e shqiptarëve në diasporë dhe në rajon, bashkëpunimin ekonomik etj.

Në fund të takimit, duke vlerësuar edhe njëherë marrëdhëniet miqësore dhe tradicionale mes dy vendeve tona, ai i përshendeti me urimin që një ditë diplomatët e rinj turq t’i shohë duke shërbyer në Tiranë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve shqiptaro-turke.