Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 15:42

Tiranë – Policia e Tiranës dhe Zyra e OSBE-së organizuan sot në Tiranë një fushatë sensibilizuese për rregullat e qarkullimit rrugor.

Aktualisht në rrugët për përdorim publik në Tiranë, konstatohet si fenomen negativ ndalimi, qëndrimi dhe pushimi i gabuar i mjeteve, i cili përbën pengesë për lirshmërinë në qarkullim, duke u bërë shkak për ngjarje aksidentale.

Në këtë kuadër, Policia e kryeqytetit kërkon bashkëpunimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve për respektimin sëbashku të dispozitave në fushën e qarkullimit rrugor.

Nëpër rrugët e Tiranës u shpërndanë fletë palosje për drejtuesit e mjeteve për rregullat e qarkullimit rrugor si dhe penalitetet për kundravajtësit, në rastin konkret për parkimet e gabuara.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, përmes Njësisë Rajonale të Qarkullimit Rrugor, ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e ngjarjeve aksidentale dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Në këtë kuadër është  parashikuar një bashkëpunim edhe më i frytshëm i Njësisë Rajonale të Qarkullimit rrugor Tiranë, me Komisariatet e Policisë së Tiranës, për parandalimin e aksidenteve e ngjarjeve të tjera aksidentale në akset rrugore të qytetit të Tiranës dhe në veçanti në akset rrugore të zonave rurale. Nga Njësia Rajonale e Policisë Rrugore, me qëllim disiplinimin e qarkullimit rrugor, janë përforcuar shërbimet në kryqëzime, drejtimet dhe hyrje – daljet kryesore të lëvizjes në qytetin e Tiranës.

Vetëm përgjatë ditës së djeshme shërbimet e policisë së  Tiranës  kanë  vendosur 949  masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshi këtu parkimet e gabuara.