Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 21:52

Tiranë, Pas 7 muaj hetimesh, Seksioni Kundër Korrupsionit në Policinë e kryeqytetit, në bashkëpunim me Njësinë Taks Forcë në Prokurorinë e Tiranës, kanë finalizuar sot operacionin policor të koduar “Kalibrimi”, duke vënë në pranga 9 shtetas, zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Meterologjisë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. 

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës bëri të ditur se “ky operacion, konsitoi në ekzekutimet e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj  9 të arrestuarve”.

Sipas saj, të ndaluarit akuzohen për korrupsionit pasiv, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, vjedhje duke shpërdoruar detyrën si dhe shpërdorim detyre. Të arrestuarit janë Rolaand Çelmeta, me detyrë  Zv.Drejtor i Përgjithshëm Drejtorinë e Përgjithshme të Meterologjisë, Moisi Musabelliu,  Drejtor i Drejtorisë Rajonale Meterologjisë dhe Kalibimit Tiranë, si dhe inspektorët Kristaq Thanasi, Hetem Basho, Armand Xhika, Armand Shuaipi, Agron Damzi, Sokol Lami, ndërsa është shpallur në kërkim një shtetas me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Meterologjisë dhe Kalibrimit Tiranë.

Strukturat Kundër Korrupsionit në Policinë e Kryeqytetit, filluan proçedimin penal, bazuar në kallzimin e depozituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Meterologjisë, ku dyshohej se disa punonjës të kësaj drejtorie, nuk derdhnin në arkën e shtetit, të gjitha të ardhurat që përfitohej nga kalibrimi i njësive të ndryshme të peshëmatjes.

Gjatë ecurisë së këtij hetimi, është konstatuar se, këto shtetas kryenin kalibrime fiktive të depozitave, Distributorëve, autoboteve të karburanteve dhe gazit, peshore të llojeve të ndryshme të supermarketeve, lokaleve, furrave të bukës, dyqaneve të argjëndarive, mallrave të paketuar si dhe  taksimetrat.

Nga hetimi, i deritanishëm, ka rezultuar se, shtetasit pasi  merrnin paratë e kolaudimit apo kalibrimit të njësive të peshëmatjes, një pjesë të konsiderueshme të ardhurash nuk i kalonin në arkën e shtetit. Po ashtu, në shumën e rasteve nuk u jepnin subjekteve të ndryshme faturat e TVSH -së si dhe duke u kërkuar ryshfet subjekteve të ndryshme për të bërë kalibimin apo kolaudimin e njësive të peshëmatjes.

Aktualisht, gjatë shtritrjes së hetimit është konkluduar se shtetasit në bashkëpunim përmes tyre, bënin kolaudimin fiktiv të distributorëve të karburanteve të naftës, duke bërë të mundur që subjekte të ndryshme që tregëtojnë karburant apo gaz, të kenë mundësi që të përfitojnë duke shitur më pak nga sasia që tregojnë aparaturat. 

Gjithashtu, duke bërë kalibrimin apo kolaudimin fiktiv në peshoret e furrave të bukës, subjektet trëgëtare përfitonin duke shitur bukën nën peshën reale. Po ashtu, edhe në supermarkete dhe subjekte të tjera tregëtare, dyshohet se bënin kolaudimin fiktiv në peshoret e këtyre subjekteve. Ndaj shtetasve të sipërcituar u ekzekutuan vendimet e Gjykatës.

Ministria e Ekonomisë  që drejtohet nga nënkryetar i LSI Naç0, distancohet nga ata që ka emëruar vetë!…

Ndërkohë që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që drejtohet nga nënkryetari i LSI-së Nasip Naço e që  ecila ka nën varësi këtë shërbim në një deklaratë të saj shprehet se distancohet nga veprimet korruptive të çdo individi, i cili abuzon me detyrën e shtetit.

Për METE-n, çdo person mban përgjegjësi individuale për punën dhe veprimet e tij. Ajo deklaron se do te nisë analizat e saj jo vetëm për këtë drejtori, por edhe për institucionet e tjera të varësisë, për të marrë masa të nevojshme.

Arrestimet e fundit i shtohen disa skandaleve të tjera që kanë ndodhur vetëm vitet e fundit në Ministrine e Ekonomisë.