Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 21:13

Tiranë – Eurodeputeti Dick Marty është paditur për shpifje në Gjykatën e Tiranës lidhur me akuzat e tij për transplant organesh në banesën e familjes Brama në fshatin Burraj të Fushë- Krujës gjatë luftës së Kosovës.

Nëpërmjet padisë së ngritur në Gjykatë, familja Brama që pretendon se është cenuar nga këto akuza, kërkon përgënjeshtrimin e tyre si dhe një dëmshpërbilim në shumën 10 milion lekë.

Lajmi për padinë kundër Ë Marti u bë i ditur sot nga përfaqësuesi ligjor i familjes Brama, avokati Roland Islami, i cili theksoi se, padia bazohet në ligjin për të huajt, në kodin e procedurës administrative për kundershtimin e akteve administrative, në Konventën Europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pjesë e legjislacionit shqiptar si dhe në kodin civil për shpërblimin e dëmit.

Në prononcimin e tij për mediat, avokati hodhi poshtë pretendimet e Dick Marty, lidhur me banesën e familjes Brama në Fushë Krujë.

“Kjo shtëpi nuk është dhënë ndonjëherë me qira tek të tretët dhe as nuk është përdorur ndonjeherë për mbajtjen e kosovarëve dhe s’bëhet fjalë më për transplant organesh që është një gënjeshtër”, tha avokati Islami.

Akuzat e Dick Martyt për transplant të organeve të ushtarëve serbë gjatë luftës së Kosovës në Shqipëri, kanë shkaktuar reagime të shumta si në Shqipëri, edhe në Kosovë.

Zyrtarë të lartë në Shqipëri duke reaguar ndaj akuzave të Dick Martyt, i kanë konsideruar ato si “të pavërteta dhe trillime“.