Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 07:01

Tiranë – Nga Zyra Qendrore – Kombëtare, Interpol Tirana, sot pasdite u krye ekstradimi nga Milano drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar Florin Llesh Gjoni, vjeç 40, lindur në Pukë.

Burime nga Policia e Shtetit bënë të ditur se, “ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, më datë 02. 12. 2004, e ka dënuar me 22 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” të kryer në bashkëpunim”.

Më datë 28. 05. 1994, shtetasi Florin (alias Robert) Gjoni në bashkëpunim me shtetasin Lulash Gjoni, kanë vrarë me mjet të mprehtë shtetasin Kujtim Gjoni.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Romën, më datën 19. 11. 2009, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Florin Gjoni.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.