Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 13:58

Tiranë – Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha prezantoi sot nënkryetarin tjetër të bashkisë, Edmond Panariti.

Sipas Bashës, Edmond Panariti është një figurë me një background të konsoliduar akademik në fushën e ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Sipas tij, Panariti “është një nga personat e pakët në Shqipëri dhe në rajon që gëzon një eksperiencë menaxheriale në fushën e mbrojtjes së konsumatorit. Ai ka shërbyer për më shumë se 3 vjet si menaxher i një projekti shumë të rëndësishëm rajonal, që ka të bëjë me forcimin e insitucioneve të mbrojtjes së konsumatorit pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bankës Botërore dhe bankave të tjera, siç janë BERZH dhe Banka Evropiane për investime.

“Në detyrën e tij të re, Panariti do të përqendrohet në çështjen shumë të rëndësishme për qytetarët e Tiranës dhe për bashkinë e Tiranës, mbrojtjen e konsumatorit në të gjitha aspektet, sigurinë ushqimore, konkurueshmërinë brenda parametrave të tregut, por pa spekullim që rëndon në xhepat dhe cilësinë e jetës së përditshme të qytetarëve të Tiranës”, tha Basha.

Sipas tij, “kjo është një punë e jashtëzakonshme, voluminoze, me objektiva shumë ambiciozë, jo e lehtë, që do të kërkojë përpjekje dhe sakrifica, prandaj jam shumë i nderuar që në krahun tim do të kem një figurë qytetare, akademike dhe menaxheriale për arritjen e objektivave tona për një Tiranë me cilësi shërbimesh, me siguri ushqimore dhe me mbrojtje konsumatori të parametrave evropianë”.

Kryebashkiaku Basha theksoi se, “në qendër të veprimtarisë së bashkisë nën drejtimin tim do të jetë interesi qytetar dhe interesi qytetar kërkon gjithpërfshirje në vendimarrje dhe në të gjithë strukturat që angazhohen në menaxhimin e tij të përditshëm dhe gjithpërfshirja do të jetë refreni i çdo qytetari, të çdo force politike që përfaqësohet në qytetin tonë, duke përfshirë këtu edhe forcat e opozitës, kontributi i të cilave në këshillin bashkiak por edhe në punën e përditshme të bashkisë është mëse i mirëpritur.

Nënkryetari i bashkisë, Edmond Panariti, pasi falenderoi qytetarët e Tiranës dhe kreun e bashkisë, Lulzim Basha për mundësinë që i dhanë, theksoi se, “portofoli që do të mbuloj përmban ambicie dhe objektiva shumë të mëdha për përmirësimin e jetës në kryeqytet, për të realizuar të gjithë atë plan që u shpalos gjatë fushatës elektorale me objektiva të përcaktuara qartë”.

“Padyshim mbrojtja e konsumatorit është një prioritet absolut dhe emergjent dhe jam i sigurt që kjo do të finalizohet në 100 ditët e para me krijimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit që është edhe sfida ime personale për të përmbushur këtë detyrim që kemi ndaj qytetarëve të Tiranës”, tha Panariti.

“Megjithatë”, shtoi ai, “kemi edhe sfida të tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit, rritjen e hapësirave urbane, gjelbërimin e kryeqytetit, të cilat janë po aq të rëndësishme në raport me objektivat që kemi vënë përballë qytetarit të Tiranës. Por ajo që është më e rëndësishme është fakti se, këto prioritete janë në sinkron të plotë me vizionin tim qytetar dhe intelektual për zhvillimin e qëndrueshëm të kryeqytetit’.

Sipas tij duhet që, “këto synime të përbashkëta ti kthejmë në energji të  përbashkët, për transformime pozitive për kryeqytetin, sepse kjo është ajo që qytetarët  e Tiranës na kanë besuar me votën e  8 majit”.

Panariti do të jetë në postin e nënkryetarit të bashkisë së Tiranës, së bashku me Jorida Tabakun, prezantimi i së cilës u bë dje nga kryebashkiaku Lulzim Basha. Panariti është kreu i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, një nga figurat qendrore të kësaj partie dhe ndër themeluesit e parë të saj.