Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 12:22

Tiranë – Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, deklaroi sot se, Tirana meriton një kryebashkiak i cili të sigurohet që fëmijët mësojnë në një ambient të sigurt dhe marrin arsimin që u nevojitet për të konkuruar në një ekonomi globale.

Përmes një deklarate për shtyp, Doda shprehu shqetësimin për situatën e krijuar në shkollën “Dora D’Istria”, ku ditën e djeshme u shemb një pjesë e tavanit në ambientet e palestrës së saj. “Kjo është ngjarja e dytë që ndodh në pak javë. Si prind i dy fëmijëve që shkojnë në shkollë, për mua si dhe për çdo prind tjetër në Tiranë, kjo çështje është personale. Ne nuk kemi pse të shqetësohemi për sigurinë e fëmijëve tanë, kur çdo mëngjes i nisim në shkollë”, tha ajo.

Sipas saj, “ky po bëhet një fenomen i përsëritur, pasi vetëm pak javë më parë më 25 mars, u rrëzua tavani i shkollës “Petro Nini”, 6 muaj pas rikonstruksionit të saj”.

“Sot, nxënësit në Tiranë po arsimohen në shkolla me infrastrukturë të dobët, me nga dy turne, kushte të rrezikshme dhe ambjente të papastra. Fëmijët e Tiranës janë e ardhmja e kryeqytetit, por Edi Rama i ka injoruar nevojat e tyre për vite me radhë”, vijoi Doda.

Ajo tërhoqi vëmendjen se “kur po shembej tavani në këtë shkollë, Edi Rama nuk ishte në Tiranë, por po bënte fushatë në Përrenjas”.

“Këto probleme ndodhin kur ke një kryebashkiak të cilit i intereson vetëm debati politik kombëtar. Tirana meriton më shumë”, përfundoi ajo.