Lajme Shqip Sunday, 14 August 2011 18:12

Tiranë – Partia Socialiste në opozitë, e cila në vitin 2008 dha konsensusin për ndryshimet në kushtetutë, është duke përgatitur një paketë të re për rishikimin e ligjit themeltar të shtetit si kusht edhe për vendosjen e dialogut me maxhorancën, që mungon që nga zgjedhjet e vitit 2009. Vetë kryesocialisti Edi Rama ka pranuar një intervistë se në ndryshimet e 2008 jo gjithçka ishte bërë si duhej.

Në pakten e re me ndryshime, mësohet se do të kërkohet edhe zgjedhja e presidentit të Republikës me shumicë të cilësuar, ashtu siç ishte në vitin 2008 dhe jo me shumicë të thjeshtë, siç është aktualisht.

Paketa e re e artikuluar nga opozita është komentuar nga Kryeministri Sali Berisha, i cili në mbledhjen e fundit të qeverisë nënvizoi se “Kushtetuta nuk është statut partie dhe se opozita nuk mund të kërkojë paketë karrigesh”.

Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, sikurse në vitin 2008, është shprehur kundër ndryshimeve në Kushtetutë. Në një intervistë për përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Ylli Manjani, deklaroi se hapja e temës së ndryshimeve kushtetuese nga kryesocialisti Rama është jo serioze dhe në fakt shmang vëmëndjen nga nevoja për reformat reale që i nevojiten Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në BE. Sipas tij, nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese ashtu siç ndryshohet statuti i PS-së sa herë humb zgjedhjet kryetari i saj.

Kundër ndryshimeve kushtetuese është dhe deputeti socialist Arben Malaj. Në një takim të zhvilluar në fundjavë me studentë të qytetit të Kukësit, Malaj theksoi se ndërhyrjet në ligjin themeltar të vendit janë të pavend. Deputeti socialist ka kundërshtuar edhe linjën politike të bojkotit, të ndjekur nga lidershipi i Partisë Socialiste.

Në të njëjtën linjë duket se është dhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Ëollfarth, i cili ka deklaruar se në çdo vend bëhet kujdes me rishikimin e ligjit themeltar të shtetit.  Ai u ka bërë thirrje forcave politike të nisin dialogun për reformën zgjedhore, duke riparë rekomandimet e ODIHR.

 

115 nga 140 deputetë të Kuvendit i thanë thanë ‘po’ ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008, që konsistuan në sistemin zgjedhor, në procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, mocionin ndaj Kryeministrit dhe institucionin e KQZ-së, që falë atyre ndryshimeve nuk ishte më një institucion Kushtetues.

Në fakt amendimet kushtetuese kërkojnë 94 vota dhe si rrallë herë në këto 20 vite pluralizëm në Shqipëri kompromisi i gjerë u arrit, pavarësisht kundërshtive të shumta të partive të vogla, përfaqësuesit e të cilëve u futën dhe në grevë urie, ndërsa u krijua dhe komiteti për mbrojtjen e Kushtetutës.

Por konsesusi i gjerë “rrëzoi” çdo përçapje për të mos prekur ligjin themeltar të shtetit që ishte miratuar me referendum në 22 nëntor të vitit 1998. Dhjetë vjet pas miratimit, Kushtetuta u ndryshua në disa nene të saj, që lidhen me disa çështje; aplikimi në Shqipëri i sistemit zgjedhor proporcional rajonal, heqja e pjesës së 12 në Kushtetutë që flet për KQZ-në, procedurat e zgjedhjes së Presidentit, mandati i kryeprokurorit dhe mocioni ndaj Kryeministrit.

 

Çfarë thanë përfaqësuesit e partive të vogla në 21 prill 2008 në Kuvend
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, një ndër kundërshtarët e prekjes së Kushtetutës, tha në seancën e 21 prillit se aplikimi i sistemit zgjedhor proporcional rajonal është një sistem hileqar, i pandershëm dhe sërish do të sjellë deformime.

Deputeti i PSD, Ëngjëll Bejtja, e cilësoi draftin e paraqitur me “defekte proceduriale, të pastudiuar dhe një atentat ndaj kushtetutës”.

Deputeti demokrat  Spartak Ngjela, sot aleat i Partisë Socialiste, e komentoi atëherë paketën me ndryshimet Kushtetuese si një paketë që nuk përfill vullnetin e popullit. “Kjo është prova më e madhe që ndryshimet kushtetuese kalojnë në hije, pa analizën e konstitucionalistëve, duke na vënë përballë një agresioni kundër lirisë”, tha ai.

Deputeti i PAD-së, Neritan Ceka, i cilësoi si të panevojshme ndryshimet në kushtetutë. Duke u ndalur tek neni për zgjedhjen e Presidentit me shumicë të cilësuar, që më së shumti komentohej si një nen krize që provokonte zgjedhje, deputetit Ceka tha se “s’kemi pasur kurrë zgjedhje parlamentare që janë provokuar nga ky nen”.  Për Cekën Kushtetuta ishte shumë e mirë dhe e balancuar. “Unë kam qenë vetë në hartimin e Kushtetutës dhe disa nene janë bërë me qëllim që të mos na ndodhë ndonjë e papritur”, pat deklaruar atëherë deputetit i PAD-së.