Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 17:56

Tiranë – Gjykata e Lartë caktoi sot trupin gjyqesorë që do të shqyrtojë çështjen në ngarkim të ish zv/kryeministrit Ilir Meta, i cili akuzohet për “Korrupsion”.

Gjykata e Lartë në një njoftim shtypi bëri të ditur sot se, “në këtë Gjykatë u hodh shorti për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë me kërkues Prokurorinë e Pergjithshme, për procedim penal nr.1 të vitit 2011, kundër Ilir Metës, Nr. Aktit- 8/11”.

Sipas njoftimit zyrtar, pas hedhjes së shortit me gogla, trupa gjyqësore përbëhet nga relatori Ardian Dvorani dhe anëtarët: Besnik Imeraj, Arjana Fullani, Gani Dizdari dhe Guxim Zenelaj.

Prokuroria e Përgjithshme përfundoi hetimet dhe dorëzoi një ditë më parë për shqyrtim në Gjykatën e Lartë çështjen penale ndaj Metës me akuzën e “Korrupsionit”. Hetimet ndaj tij, nisën nga prokuroria pas publikimit pak kohë më parë në një televizion të një video-përgjimi, ku ai shfaqej me ish – ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë.

Nderkohë, përfaqesuesit ligjor të zotit Meta, mësohet se kanë kundërshtuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke e cilësuar atë si të pavertetë.