Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 11:14

Tiranë – Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi të premten se “opozita ka përgjegjësinë që të votojë së bashku me qeverinë, ligje të cilat nuk janë pjesë e axhendës partiake, por që nuk bllokojnë dhe çojnë përpara axhendën e integrimit europian të vendit”.

Në një prononcim për mediat, pas takimit të zhvilluar me shoqërinë civile lidhur me 12 rekomandimet e KE-së, Bregu vlerësoi kontributin e dhënë për planin e veprimit nga Komisioni Parlamentar i Integrimit, i cili drejtohet nga opozita, por shtoi se “është e rëndësishme miratimi i ligjeve me 3/5”.

“Plani i veprimit ka një kërkesë fare të qartë, miratimin e ligjeve me 3/5, angazhimin e Komisionit Parlamentar të Integrimit dhe te anëtarëve të opozitës në këtë komison. Është një angazhim për të çuar përpara dhe për të ndjekur me seriozitet, zbatimin e këtij plani veprimi”, theksoi ministrja.

Duke shprehur besimin se puna e bërë në komision dhe kontributi i opozitë është një kontribut serioz, Bregu nënvizoi se “duke i besuar seriozitetit të shprehur nga opozita në këtë komision, kam po aq besim se ky plan veprimi është një plan veprimi me data, anazhime dhe përgjegësi konkrete”.

Në përfundim, ministrja e Integrimit bëri të ditur se deri në fund të prillit do të dorëzohet plani i veprimit, i konsoliduar, me kontributin e të gjithë aktorëve.