Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 18:41

Tiranë – Kryeministri Berisha deklaroi të enjten gjatë takimit me ministrin e Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, se arritjet në luftën kundër korrupsionit kanë sjellë një shndërrim total të imazhit të Shqipërisë në vendet e Bashkimit Europian dhe me gjerë, çka është demonstruar dhe me rritjen e numrit të turistëve, të cilët në vitin 2010 shënuan një shifër prej 3,5 milion.

Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Polonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe si për anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, apo dhe mbështetjen e vazhdueshme për ecjen me shpejtësi drejt integrimit evropian.

Ministri i Jashtëm polak, Sikorski, risiguroi se Polonia, e cila së shpejti do të marrë presidencën e radhës së BE, mbetet një mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të shpejtë të Shqipërisë në BE dhe do të vijojë të ndihmojë, dhe përkrahë qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për integrim sa më të shpejtë në BE.

Ministri polak vlerësoi në këtë kontekst, arritjet e jashtëzakonshme dhe hapat e mëdha që Shqipëria ka hedhur gjatë viteve te fundit, duke theksuar se nga vizita e tij e fundit, para disa viteve, ndryshimet janë qartësisht të dukshme e jashtëzakonisht mbresëlënëse.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit ripohuan dëshirën dhe vendosmërinë për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në shumë aspekte, si atë tregtar, të turizmit, të investimeve të ndërsjella, etj.

Duke u ndalur në zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit, në takim u vlerësuan reformat e rëndësishme dhe të suksesshme zgjedhore, si dhe infrastruktura nga më modernet në Evropë, siç është regjistri qendror elektronik apo dokumentet biometrike të identifikimit, por edhe sistemi unik i numërimit, i cili ka bërë të mundur që çdo votë e qytetarëve shqiptarë të numërohet dhe të regjistrohet me sigurinë dhe saktësinë më të lartë, duke garantuar një proces të saktë transparent e rigoroz të numërimit, i cili e rendit sistemin shqiptar të numërimit, në një ndër sistemet me garancinë më të lartë.

Në takim u rikonfirmua dëshira e të dy vendeve për të intensifikuar kontaktet në nivelet më të larta, si shprehje e ndjenjave më të ngrohta të miqësisë mes dy popujve dhe vendeve dhe angazhimit të dy qeverive për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në interesin më të mirë të dy popujve miq.