Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 09:33

Tiranë – Integrimi në Bashkimin Evropian përbën prioritetin themelor dhe projektin më të rëndësishëm të Shqipërisë, proces i bazuar në performancë dhe meritë, u shpreh të premten kryeministri Sali Berisha në një takim me komisionin për Çështjet Evropiane të Parlamentit Hollandez.

Ky komision parlamentar po zhvillon një vizite në Shqipëri në kudrin e një turi në vendet e Ballkanit Perendimor, me qëllimin që të familjarizojë anëtarët me Shqipërinë, politikën dhe aktorët kryesorë të shoqërisë shqiptare, përfshirë dhe shoqërinë civile.

Zyra e Shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se në takim, Kryeministri falenderoi anëtarët e delegacionit për mbështetjen dhe ndihmën që parlamenti dhe qeveria hollandeze i kanë dhënë Shqipërisë në reformat e saj demokratizuese. Në mënyrë të veçantë, Berisha falenderoi Mbretërinë e Vendeve të Ulëta për vendimin historik të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.

Berisha njohu bashkëbiseduesit me reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë 6 vitet e fundit për transformimin politik, ekonomik dhe social të vendit. Kryeministri i njohu edhe me përpjekjet për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend. Ai theksoi se zgjedhjet e vitit 2009, ashtu si zgjedhjet vendore të 8 majit, të zhvilluara në respekt të standardeve ndërkombëtare dhe të një kornize ligjore konsensuale, janë një hap i jashtëzakonshëm në konsolodimin e vlerave perendimore.

Kryeministri vuri theksin te lufta pa kompromis e ekzekutivit shqiptar ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe duke u ndalur në këto çështje, nënvizoi se tashmë Shqipëria është një vend me siguri të lartë përkundër një vendi që në vitin 2005 dominohej nga organizatat kriminale.

Berisha theksoi se lufta e qeverisë kundër korrupsionit bazohet në reforma dhe dënim ku renditi një seri reformash të ndërmarra në kuadrin e reformimit të administratës publike, shpenzimit të fondeve publike, procedurave të prokurimit, rregjistrimit të bizneseve, si dhe një seri rezultatesh në goditjen e fenomeneve korruptive.

Berisha nënvizoi se “Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha ekonomike dhe investimet direkte hollandeze do të njihnin sukses”, ndërsa siguroi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare ndaj këtyre investimeve.

Gjatë bisedës, u diskutuan një seri çështjesh me rëndësi në kuadrin e integrimit evropian, arritjen e standarteve të vendosura nga BE, modernizimit të vendit.