Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 07:06

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “nuk ka pasur asnjë kontestim nga radhët e PD-së për kandidimin e Lulzim Bashës për kreun e Bashkisë së Tiranës”.

I ftuar në emisionin “Opinion”, në TV Klan, Kryeministri Berisha tha se “Lulzim Basha nuk kandidoi për PD-në në zgjedhjet e shkuara vendore të 2007, sepse kishte si mision ndërtimin e rrugës së kombit Durrës-Kukës”.

“Nuk ka pasur zëra kundër kandidimit të Bashës as në zgjedhjet e 2007 dhe as në zgjedhjet e 2011. Por Lulzim Basha nuk kandidoi në 2007, pasi objektivi absolut ka qenë rruga Durrës-Kukës”, tha Berisha.

Duke renditur sukseset e Lulzim Bashës në drejtimin e Ministrisë së Transporteve dhe më pas Ministrisë së Jashtme,  Berisha u ndal te kontributi personal i Bashës në liberalizimin e vizave”.

“Basha vjen në politikë me një kontribut real”, tha Berisha, ndërsa siguroi se “nuk do ti imponojë Lulzim Bashës programin elektoral për Tiranën”. Berisha theksoi se qeveria ka rritur grantin për qeverisjen vendore nga 7 miliard lekë në 35 miliard lekë.

“Grantin për qeverisjen vendore, Edi Rama e kishte 300 milionë lekë gjatë qeverisjes socialiste, ndërsa kjo qeveri e ka rritur në 1.2 miliard lekë grantin për Tiranën”, tha Berisha.

Sipas Berishës “Edi Rama shpenzoi për rroga, 600 milionë lekë që ishin për ndërtimin e rrugëve në kryeqytet”.