Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 09:43

Tiranë – Respektimi i të drejtave të minoriteteve në burgjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një prej projekteve që financohen nga BE në vendin tonë, i cili synon respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Projekti i prezantuar dje në hotel “Rogner” nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, synon të prekë çështjet e minoriteteve etnike -kulturore në burgjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, “një nga sfidat e shoqërive që zhvillohen në demokraci, siç është edhe shoqëria shqiptare, është evoluimi i mentalititetit përsa u përket çështjeve të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Sipas tij, “kontribut shumë të madh në drejtim të arritjeve te standardeve evropiane të të drejtave dhe lirive të minoriteteve në burgjet shqiptare ka ofruar BE, duke ndërtuar qendra të reja për këta persona”.
Zv/Ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, theksoi se një punë e mirë përsa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive të minoriteteve në burgjet shqiptare është bërë në kuadrin ligjor. “Ministria e Drejtësisë është duke punuar në hartimin e një dokumenti strategjik, i cili do të mundësojë respektimin e të drejtave të minoriteteve në sistemin penitenciar”, tha ajo.
Ndërsa Kreu i Delegacionit Evropian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, u shpreh se “projekti që prezantohet sot është mundësuar nga Bashkimi Evropian, i cili deri tani ka investuar 60 milione euro në Shqipëri për të përmirësuar kushtet e jetesës në burgje, trajnimin e stafeve etj. BE gjithashtu financon projekte për ndaimin e dhunës ndaj të burgosurve, të miturve dhe grave”.
Sipas tij, respektimi i minoriteteve në burgje është një angazhim që përcakton sesi një vend i trajton pakicat. “Angazhimi ynë matet me respektimin e të drejtave tënjeriut. BE i vë theksin respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut si brenda edhe jashtë burgjeve dhe dy prej pikave që Komisioni Evropian i ka vendosur Shqipërisë për fitimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE, kanë të bejnë me të drejtat e njeriut dhe respektimin e minoriteteve në burgje”, tha Sequi.