Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 16:21

Tiranë – Duke marrë shkas nga deklarimet e Drejtuesve te Policisë së Shtetit dhe kërkesën drejtuar Bashkisë, për përcaktimin e vendeve ku ndalohet vendosja e flamujve dhe materialeve zgjedhore, Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit mbi Territorin Urban në bashkinë e Tiranës, Hantin Bonati, u shpreh sot me anë të një deklarate për shtyp se, “Bashkia e Tiranës përcakton vendet ku lejohet vendosja e këtyre materialeve dhe kjo gjë do të bëhet 30 ditë para datës së zgjedhjeve, ashtu siç përcakton Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
“Bashkia e Tiranës i ka kërkuar Policisë së Shtetit zyrtarisht dje, mbështetjen për ndalimin e incidenteve të shkaktuara nga militantet e subjekteve politike, gjatë ushtrimit të detyrave funksionale që ligji i ngarkon Policisë Bashkiake”, sqaroi Bonati, i cili u bëri thirrje edhe njëherë të gjithë forcave politike të mos cënojnë qytetin, duke vendosur flamuj dhe banderola nëpër shtylla e nëpër pemë.
Më parë për këtë problem ka folur edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili reagoi për kërkesën e Bashkisë së Tiranës për heqjen e flamujve elektoralë
Ai u shpreh se policia është e angazhuar ndaj çdo veprimi të paligjshëm, por theksoi ai, “Bashkia vetëm dje ka sjellë një letër ku bën këtë kërkesë”.