Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 16:58

Tiranë – Kandidati i Partisë Demokratike për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha deklaroi se investimet në infrastrukturë do ti shërbejnë hapjes së menjëhershme të mijëra vendeve të reja të punës, krahas zhvillimit të Tiranës.

Në një takim që zhvilloi me banorë të Saukut, Basha bëri të ditur se në programin e tij, parashikohet mbështetje për ndërtimin e Unazës së Madhe, e cila do të gjenerojë direkt hapjen e 5 mijë vendeve të reja të punës.

Sipas Bashës, “në 4 vjet do të asfaltohet çdo rrugë e Tiranës dhe do të hapen akse të reja që tani nuk ekzistojnë, ndërsa vëmendje e veçantë do ti kushtohet parkingjeve.

Basha garantoi gjithashtu banorët e Saukut se do të kompensohen me vlerën e tregut për çdo metër katror tokë që do ti shërbejë ndërtimit të veprave publike, siç është Unaza e Madhe.

Ndërsa në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, Basha theksoi se krahas korpusit të këtij universiteti do të ndërtohet edhe një korpus për Universitetin Politeknik.

Gjithashtu Basha ripërsëriti angazhimin e tij për kartën e studentit, mbështetje financiare për studentët e shkëlqyer dhe ata në pamundësi ekonomike, si dhe marrjen parasysh të mendimeve të tyre, por edhe pedagogëve në politikat e zhvillimit të Tiranës.