Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 11:28

Tiranë – Programi “Sfida e Mijëvjeçarit”, në të cilin, prej 2 vitesh kanë marrë pjesë 6 institucione të vendit, u përmbyll të enjten, me një aktivitet të organizuar në Hotel “Sheraton”. Programi ka si qëllim luftën ndaj korrupsionit, krimit ekonomik financiar e krimit të organizuar dhe në kuadër të këtij programi është krijuar edhe njësia Task Forcë.

Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, u shpreh se ky program ka qenë i suksesshëm, edhe pse ka qenë e vështirë vënia në zbatim e Task Forcës.

Arvizu deklaroi më tej se çdo person duhet t’i nënshtrohet hetimit për korrupsion.

“Pak më shumë se 2 vjet më pare, drejtuesit e 6 institucioneve nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, duke krijuar kornizën e duhur ligjore të nevojshme për të krijuar 6 Task Forca në rajone të ndryshme të Shqipërisë, të cilat u modeluan sipas njësisë së përbashkët hetimore të krimit ekonomik dhe korrupsionit në Tiranë”, tha ambasadori i SHBA.

Këto njësi, vijoi ai, “u njohën si njësitë e përbashkëta hetimore dhe termi njësi e përbashkët hetimore u bë pjesë e terminologjië, kur flasim për shtetin e së drejtës në Shqipëri”.

Sipas tij, këto njësi të përbashkëta u krijuan si pjesë e asaj që njihet si faza e dytë e aktivitetit të Korporatës së “Sfidës së Mijëvjeçarit” me Qeverinë shqiptare.

“Jemi sot këtu për të festuar suksesin e këtij projekti dhe për të vlerësuar punën e palodhur”, tha Arvizu, i cili shtoi se “komponentët e tjerë të projektit të Koroporatës së “Sfidës së Mijvjeçarit” u zbatuan në mënyrë të ndarë nga komponenti i krijimit të njësive Task Force. Për shkak të natyrës së tij të veçantë, USAID dhe Korporata e “Sfidës së Mijëvjeçarit” i kërkuan ODAP-it që të zbatonte atë komponent që njihet si komponenti 6″.

“ODAP-i drejtohet nga prokurorë federalë të SHBA-së dhe ka bashkëpunuar rreth 10 vjet me prokurorë shqiptarë, ndërsa ka punuar ngushtë me USAID-in dhe Korporatën e “Sfidës së Mijëvjeçarit”, tha Arvizu.

“Task Forcë është një koncept i vështirë për t’u vënë në praktikë. Ai kërkon durim, mirëkuptim dhe shumë bashkëpunim mes të gjithë personave të përfshirë. Arsyeja pse mendoj se koncepti i njësive të përbashkëta hetimore ka funksionuar në të gjithë Shqipërinë është  qasja e punës në grup. Kemi patur suksese këto dy vite të shkuara, por kemi patur dhe zhgënjime. Por sot dua t’u inkurajoj që të mësoni nga sukseset dhe dështimet dhe të vazhdoni punë tuaj”, tha ambasadori Arvizu.

Sipas tij, “për të hetuar korrupsionin dhe për ta bërë këtë në mënyrën e duhur, çdo person i përfshirë në hetim duhet të jetë përtej çdo kritike, veçanërisht prokurorët, të cilët kanë një pushtet shumë të madh në drejtim të hetimit dhe tek të gjitha mjetet që janë vënë në dispozicion për këtë qëllim. Ky  pushtet nga ana tjetër duhet të trajtohet me respekt sepse ai rrjedh së bashku me një përgjegjësi shumë të madhe”.

“Mundësia për t’i hequr dikujt lirinë është një përgjegjësi vetëm për persona me integritetin dhe karakterin moral më të lartë dhe për personat që fitojnë besimin e publikut”, tha Arvizu, duke iu drejtuar rolit të prokurorit.

Ai përmendi edhe konceptin e imunitetit, duke theksuar se asnjë diskutim për sistemin e drejtësisë në Shqipëri nuk është i plotë pa përmendur imunitetin.

“Shumë vende europiane kanë rol të kufizuar të imunitetit të zyrtarëve publikë, ndërsa Shqipëria qëndron e vetme në të gjitha veprimtaritë që mund të kryhen ndaj zyrtarëve publikë. Kam shprehur shqetësimin se do të jetë e vështirë që kjo të ndodhë, por imuntiteti pengon hetimet në Shqipëri. Të gjitha palët duhet të vazhdojnë me axhendën që të ndryshojnë ligjet në mënyrë që ato të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë”, përfundoi ambasadori Arvizu.