Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 09:23

Tiranë – Policia e Tiranës ka bërë të mundur kapjen e tre shtetasve për vjedhje me armë dhe me dhunë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pasagjeri”. Operacioni është realizuar pas një pune disa mujore me aplikimin e metodave speciale të hetimit, bën të ditur policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Po sipas njoftimit, në vijim të punës hetimore në drejtim të zbardhjes tërësisht dhe dokumentimit ligjor të tyre u arrit kapja e autorëve në Tiranë dhe në qytetin e Peshkopisë. Ndërkohë, u mor masa e arrestit dhe ndalimit për shtetasit Berti Limani, 21 vjeç, Hysen Xixa, 18 vjeç, dhe Lulëzim Doci, 24 vjeç, të tre banues në qytetin e Krujës.

Aktualisht, dyshohet se shtetasit Limani dhe Doci, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës automjetin tip Benz taksi me targa AA 038 T. Ngjarja ka ndodhur më datë 6 tetor në Tiranë, sqaroi policia, sipas së cilës, nga hetimet e zhvilluara, ka rezultuar se shtetasi Limani së bashku me shtetasin A.X, 16 vjeç, dyshohet të jenë autorë edhe të vjedhjes me armë të një tjetër automjeti taksi, ngjarje e ndodhur në 30 janar në aksin rrugor Vorë Fushë-Krujë.

Në cilësinë e provës materiale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Limani, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri tip pistoletë, ndërsa në kontrollin e ushtruar në servisin e Docit, u gjet i copëtuar në pjesë këmbimi  automjeti me targë AA 385 T.

Ndërkohë, në një tjetër operacion i realizuar nga Komisariati i Policisë Nr.6 Tiranë, është bërë i mundur parandalimi i një tjetër grabitje me armë. Policia tha se u arrit identifikimi dhe kapja në flagrancë e 18 vjeçarit Diamontino Xhaferri, lindur dhe banues në komunën Vaqarr, Tiranë. Arrestimi i tij u krye mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Tiranë-Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip BMW, me targa TR 4828 K, të drejtuar nga shtetasi Urim Shkreta, u gjetën armë zjarri automatike. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Diamontino Xhaferri, ju gjet edhe një pushkë mod.56, me krëhër me 30 copë fishekë, 48 copë fishekë mod.56, 64 copë  fishekë mod.54 si dhe 500 gramë bimë e dyshuar Cannabis Sattiva, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.