Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 09:34

Tiranë – Kryepiskopi i Kanterburit dhe anëtar i Dhomës së Lordëve, Dr. Rowan Williams, i dha Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit, Kryqin e Lambethit (një dekoratë nderi e veçantë që u jepet udhëheqësve fetarë), në një darkë zyrtare që u mbajt në Selinë kryepiskopale të Jorkut, Angli.

Kryepiskopi i Kanterberit u shpreh se Kryepiskopi Anastas është “një nga heronjtë e tij”. Kryepiskopi Anastas theksoi se: “Ekziston shumë informacion rreth Kryqit. Madje për më tepër edhe mjaft dije theologjike. Por, ajo që kërkohet nga secili nga ne që është, të përafrohemi dhe të familjarizohemi me “urtësinë e Kryqit”, urtësi që i referohet çlirimit të gjinisë njerëzore dhe mbështetet në mirënjohjen për mëshirën e pafund të Perëndisë, në dashurinë, vetësakrifikimin dhe në kontributin e pandërprerë”.

Gjatë qëndrimit në Angli, Kryepiskopi Anastas foli në Sinodin e Përgjithshëm të Kishës Anglikane (që përbëhet nga 500 anëtarë të zgjedhur të shoqërisë angleze), si i ftuari kryesor, me temë “Duke transmetuar Ungjillin në botën modern”.