Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 15:01

Tiranë – Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet ndaj pesë të rinjve, të arrestuar në operacionin e koduar “Bulevardi”, si autorë në një sërë vjedhjesh të dhunshme në Tiranë.

Lajmi u bë i ditur dje nga burime zyrtare të prokurorisë së Tiranës, të cilat konfirmuan se, prokuroria dorëzoi për shqyrtim në Gjykatën e Rrethit çështjen në ngarkim të shtetasve: Edmond Gaxha, Elton Ceka, Hegel Ndini, Ramazan Krasniqi dhe Rizvan Suma me akuzat “Vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, “Kanosje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.

Shtetasit e lartëpërmendur u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar në operacionin e koduar “Bulevardi”, organizuar nga Poilicia e Tiranës, në kuadër të luftës kundër vjedhjeve në kryeqytet.

Të pandehurit dyshohet se janë autore në disa vjedhje, kryesisht ndaj qytetarëve, të cilëve nën kërcënimin e armëve të ftohta u grabisnin sendet personale, bixhuteritë etj.

Procesi ndaj tyre pritet të nisë së shpejti.