Lajme Shqip Saturday, 20 October 2012 08:00

Tiranë-Ministria e Punëve të Jashtme përshendet takimin midis Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrit të Republikë së Serbisë,  Ivica Daçiç të zhvilluar sot në Bruksel në prani të Përfaqësueses së Larte për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian,  Catherine Ashton.

Në njoftimin për mediat thuhet se MPJ vlerëson vazhdimin e dialogut,  në nivel të lartë, si një hap të rëndësishëm dhe në drejtimin e duhur për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për zbatimin e marrëveshjeve të arrituara dhe për zgjidhjen e problemeve praktike që ekzistojnë midis dy vendeve.

MPJ thekson se “vazhdimi i dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve është në interes të dy vendeve, si dhe në interes të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe i shërben integrimit të të dy vendeve dhe gjithë rajonit në Bashkimin Evropian”.

MPJ përshëndet gjithashtu rezolutën e Parlamentit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si një shprehje të vullnetit dhe përgjegjësisë së lartë të institucioneve të Shtetit të Pavarur të Kosovës për të parë përpara dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe në paqe për të dy vendet dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon. (LajmeShqip.com)