Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 15:49

Tiranë -Ministria e Punëve të Jashtme dënoi sot me anë të një deklarate për shtyp zhvillimet e fundit në maqedoni ku dje, në fshatin Labunishtë të Strugës, janë djegur ambiente të një kishe nga persona ende të pa indentifikuar.

“Ky akt i shëmtuar, dhe disa ngjarje të tjera të kohëve të fundit, pavarësisht nga kush janë kryer dhe nga cilat motive janë shtyrë, janë të dënueshme. Ato nuk i shërbejnë frymës së bashkëjetesës multikulturore dhe multietnike të Maqedonisë”, u shpreh zëdhënësja e MPJ-së, Eva Kushova.

“Thirrje apo veprime me karakter përçarës, diskriminues e racist që mbjellin urrejtje etnike e ndërfetare, janë të papranueshme nga vetë shoqëria e opinioni publik në Maqedoni”, vijon deklarata e MPJ-së.

Sipas MPJ-së, “Diversiteti etnik, kulturor dhe fetar i Maqedonisë është një vlerë për vendin dhe jo premisë për intolerancë”.

“Është e nevojshme të respektohet historia dhe trashëgimia kulturore e gjithsecilit komunitet në vend, dhe të promovohen vepra që përmbajnë elemente bashkuese e farkëtojnë kohezionin social, dhe jo ndarje”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

“Me vepra konsensuale e aktivitete të përbashkëta në jetën shoqërore të vendit, mes maqedonëve dhe shqiptarëve, krijohen mundësi reale për jetësimin e vlerave fondamentale evropiane, të cilat i ka përqafuar rajoni. Harmonia ndëretnike, ndërkulturore dhe ndërfetare është themelore për integritetin dhe stabilitetin e Maqedonisë dhe për gjithë rajonin e Ballkanit”, përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme.