Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 13:16

Tiranë – Zhvillimi ekonomik, rritja e potencialit për punësim dhe shndërrimin e Tiranës në një qytet atraktiv për investime të huaja, ishin çështjet për të cilat kryebashkiaku Lulzim Basha, bisedoi sot me një përfaqësi prej 40 biznesmenësh të rinj amerikanë të Organizatës së Presidentëve të Rinj (YPO).

Në fillim të takimit, Basha i njohu sipërmarrësit e rinj me projektet e tij në funksion të krijimit të një klime të favorshme për investimet në kryeqytet.

“Ju si investitorë të huaj shumë shpejt do të gjeni të gjitha mundësitë për t’u vendosur dhe investuar në Tiranë, qytet në zemër të Evropës”, u tha Basha të rinjve të organizatës YPO, të cilët po vizitojnë Shqipërinë për herë të parë.

Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, hapi i parë, sipas Bashës, është heqja e disa tarifave dhe reduktimi i disa taksave në Bashkinë e Tiranës, “proces i cili ka nisur. Hapi tjetër i rëndësishëm është thjeshtimi i procedurave administrative në Bashkinë e Tiranës, veçanërisht atë të licencimit dhe të lejeve”.

Kryebashkiaku u tregoi sipërmarrësve të huaj se në vizionin e tij, Bashkia e Tiranës është një njësi shërbimi për biznesin dhe qytetarët, ndërsa shprehu vendosmërinë për të kryer këtë funksion në kohën më të shpejtë, me kushtet më të mira dhe pa kosto. “Në 5 vitet e fundit janë bërë përpjekje të rëndësishme në nivel kombëtar për përmirësimin e kushteve të operatorëve të biznesit për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse për investime. Një taksë e sheshtë dhe praktikat e one-stop shop, po mundëson që në Shqipëri një biznes të regjistrohet brenda 30 minutave për vetëm një euro dhe praktikat e one-stop shopit janë përcaktuar gjithashtu për licencimin dhe lëshimin e lejeve në nivel kombëtar”, tha Basha.
     Ai bëri të ditur se në Bashki po punojmë për shërbimin one-stop shop. “Ne po punojmë me IFC, Korporata Financiare Ndërkombëtare, për të ngritur këtë shërbim funksional për licencimet dhe ndërtimet në Tiranë. Para se të arrijmë këtu kemi ndërmarrë një studim se cilat nga lejet dhe licencat që mund të eliminohen nga lista e kërkesave, që t’i shndërrojmë  ato në vetëm vetëdeklarim. Muajin e kaluar kemi marrë vendimin për heqjen e 60 taksave dhe tarifave vendore. Më parë qyteti kishte më shumë se 80 taksa të tilla ndërsa tani ka vetëm 23”, tha Basha.

Kjo politikë e thjeshtimit të procedurave dhe uljes së taksave, sipas Bashës, ka një qëllim të vetëm, për ta bërë Tiranën më miqësore për biznesin, jo vetëm në vend, por edhe më gjerë.

Basha konfirmoi se do të paraqesë për miratim dy vendime. I pari ka të bëjë me ndërmarrjet e vogla e të mesme, për t’i çliruar ato nga taksat lokale për katër vjet, me qëllim që të ofrojnë vende pune për më shumë se 50 punonjës. Ndërsa vendimi i dytë ka të bëjë me kompanitë e mëdha, dhe për këtë po studiohet mundësia e rimbursimit te pjesshëm të taksave dhe në raste të veçanta rimbursim të plotë të të gjitha taksave, përfshirë edhe taksën mbi fitimin që mblidhet nga qeveria qendrore, nëse këto biznese garantojnë që numri i punonjësve të punësuar të arrijë një shifër të caktuar për të cilën Bashkia po negocion, por që mund të variojë nga një mijë e më shumë.

“Ne besojmë fuqimisht se zhvillimi ekonomik dhe krijimi i kushteve për biznes, krijimi i mundësive të punësimit për qytetarët është shërbimi më i mirë për Bashkinë, të cilën e shoh si institucion shërbimi për biznesin dhe investitorët, si partnerët më të mirë për arritjen e këtyre qëllimeve larg burokracive”, theksoi Basha.

Duke u nisur nga fakti se Tirana vazhdon të rritet me 2- 3% çdo vit dhe të ketë një strukturë që e emërton si qytetin me moshën më te re në botë, Basha argumentoi se Tirana e rreth 100 mijë studentëve të ardhshëm, ka nevojë për projekte imediate për punësimin dhe kualifikimin e te rinjve.  Për te përfshirë këtë kontingjent në tregun e punës, Bashkia po përgatit dy projekte. I pari financohet kryesisht nga Bashkia dhe i dyti do të financohet kryesisht nga Fondi Amerikano-Shqiptar për Zhvillim dhe institucione të tjera, me qëllim krijimin e një ure komunikimi mes botës akademike dhe tregut të punës.

Basha tregoi se do të krijoje mundësi kualifikimi për krahun e punës nëpërmjet programeve të stazheve, tre apo gjashtë mujore të mbështetura financiarisht nga Bashkia e Tiranës.

Ai i njohu të pranishmit edhe me punën që po bëhet në hartimin e Planit Urbanistik. “Paraprakisht po ju them se plani nuk synon as arnim dhe nuk bazohet mbi fantazi, por karakterizohet nga realizmi edhe nga dëshira për një produkt të qëndrueshëm, i cili të mos jetë për zgjedhjet e ardhshme, por të jetë për brezat e ardhshëm”, tha Basha.