Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 13:00

Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme shprehu me anë të një deklarate për shtyp, keqardhjen për humbjen e jetës së një polici si dhe plagosjen e shumë të tjerëve nga dhuna e ushtruar ditët e fundit në veri të Republikës së Kosovës.

“Republika e Shqipërisë ka mbështetur dhe mbështet pavarësinë e Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit të saj në të gjithë territorin e Republikës së njohur ndërkombëtarisht nga 77 shtete, si një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan’, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Sipas saj, “është e domosdoshme që zgjidhjet të vijnë përmes dialogut dhe marrëveshjeve të arritura, zbatimit të “Strategjisë për Veriun” të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, që do të bëjnë të mundur ushtrimin e pushtetit legjitim të autoriteteve të zgjedhura të pushtetit qendror e lokal në veri të Kosovës.

“Zgjidhja e problemeve të mbetura mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, duhet bërë nëpërmjet procesit të dialogut dhe është thelbësore që konkluzionet e arritura mes tyre, me ndërmjetësimin e BE-së, të shndërrohen në marrëveshje të zbatueshme me garanci ndërkombëtare”, përfundon deklarata e MPJ.