Lajme Shqip Saturday, 01 October 2011 17:21

Preshevë (PLOTËSUAR, E shtunë, 1 tetor, 17:21) – Dje portali LajmeShqip.com, ka raportuar për skandalin me  ndryshimin e tekstit të Abetares shqipe në Luginën e Preshevë. Ndërkohë, në orët e mbrëmjes ky skandal ka marrë përmasa të tjera, të manifestimit të revoltës së shqiptarëve në Luginë.

Nëpër rrugët e Preshevës, të premten mbrëma, janë vendosur posterë me fotografinë e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë të akredituar në Beograd Shpëtim Çaushi, me shkrimin “Shpëtim – Mos ma prek Abetaren”, ka bërë të ditur portali Koha.

Këta posterë, nga persona të panjohur janë vendosur në dyert e shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, si dhe në rrugën kryesore “15 Nëntori.

Posterë janë vendosur tri ditë pasi që ambasadori i Shqipërisë Shpëtim Çaushi ka dhënë pëlqimin që Abetarja për nxënësit e Luginës së Preshevës të reduktohet duke larguar simbolet nacionale dhe shtetërore.

Edhe disa subjekte politike të Luginës së Preshevës, duke reaguar lidhur me reduktimin e Abetares shqipe, janë shprehur se për shqiptarët e Luginës, është denigruese dhe e papranueshme ky libër dhuratë e shtetit amë, ndërsa Këshilli Kombëtar Shqiptar ka çmuar lartë angazhimin e institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe atyre të Republikës së Kosovës në avancimin e arsimit shqip në Luginë të Preshevës.

Në këtë drejtim KKSH-ja me theks të veçantë përshëndet edhe kontributin e ambasadorit të shtetit shqiptar në Beograd, Shpëtim Qaushi, rreth Abetares dhe teksteve tjera shkollore për nxënësit shqiptarë.

“Përkundër faktit se në opinion janë plasuar disa shkrime mbi gjoja reduktimet në këtë tekst të cilat i ka rekomanduar Qaushi, konsiderojmë se pohimet e tilla janë të pabaza dhe nuk mbështeten në kritikat profesionale të ekspertëve të literaturës shkollore”, thuhet në komunikatën e KKSH-së.

Ndërkaq, në një emision të Top Shoë është kërkuar dorëheqja e ambasadorit shqiptar, si pasojë e bastardimit të Abetares shqipe.

Prefekti i Preshevës, Ragmi Mustafa dhe deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, në emisionin “Lugina e harruar” në Top Show kanë kërkuar nga kryeministri, Sali Berisha që të shqyrtojë vazhdimin e funksionit të ambasadorit shqiptar, në Beograd, Shpëtim Qaushi. Deputeti i VV-së, Liburn Aliu, ka shfletuar dokumentin ku ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Qaushi, ka pranuar  që të hiqen simbolet kombëtare nga Abetarja. Edhe prefekti i Preshevës, Ragmi Mustafa, njëherësh dhe lider i PDSH-së, ka kërkuar nga autorët e Abetares që të tërhiqen, për të mos lejuar bastardimin e librit, pasi që sipas tij edhe shqiptarët e Luginës janë si shqiptarët e Shqipërisë dhe nxënësit duhet të mësojnë me ato tekste që mësojnë bashkëmoshatarët e tyre.

Sipas Aliut, përderisa nxënësit e Luginës nuk guxojnë të mësojnë për historinë e tyre, në anën tjetër nxënësit serbë në Kosovë mësojnë për UÇK-në si organizatë terroriste dhe Adem Jasharin si  terroristë.

Mustafa, gjithashtu pati reaguar edhe ndaj ministrit serb të arsimit, Zharko Obradoviq, për ndërhyrjen e tij joprofesionale në ndryshimin e Abetares Shqiptare, e cila sipas tij, për shqiptarët e Luginës, është denigruese dhe e papranueshme.

*****************************

Tiranë (30 shtator, E premte) 14:01– Skandali i kësja vjeshte ka qenë ndryshimi i tekstit të Abetares për nxënësit e shkollave shqipe në Luginë të Preshevës. Kjo ka ndodhë me insistimin e Qeverisë së Serbisë dhe me aminin e Qeverisë së Shqipërisë. Flamuri Shqiptar, Shkodra dhe elementet tjera kombëtare janë hequr nga teksti. Fillimisht, kësaj i ka thënë po Ambasadori i Shqipërisë në Beograd.

Një moment i reportazhit nga Lugina e Preshevës, në emisionin Lugina e Harruar, në Top Shou, tregon qartë shkallën e diskriminimit që Qeveria e Serbisë po e bën mbi shqiptarët e Luginës së Preshevës, por edhe dorëzimin e shtetit shqiptar përballë trysnisë serbe.

Portali LajmeShqip.com sjellë për lexuesit sekuencat ku bëhet fjalë për skandalin me librin bazë të nxënësve, Abetaren, e cila fillimisht është transmetuar nga presheva.com.

Veç tjerash, shqiptarëve të Luginës iu është mohuar e drejta që Flamuri Kombëtar të figurojë, madje, edhe në brendi të Abetares së shkollarëve të klasës së parë. Qeveria serbe ka kërkuar që ky libër të hiqet nga përdorimi, pikërisht për shkak se në faqen ku mësohet shkronja F, figuron Flamuri Kombëtar Shqiptar. Dhe kjo është pranuar. Qeveria e Shqipërisë ka sjellë si donacion një mijë Abetare të tjera, të punuara me standardet e kërkuara nga Qeveria e Serbisë, duke e amputuar flamurin dhe simbolet tjera kombëtare nga brendia e saj.

Paraprakisht, kësaj i kishte prirë një dakordim nga vetë Ambasada e Shqipërisë në Beograd. Ambasadori shqiptar në Beograd, Shpëtim Çaushi, me një letër drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të Serbisë, kishte përcjellë pëlqimin për ta ndërruar, respektivisht për ta shkombëtarizuar Abetaren për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Veç flamurit, nga Abetarja që iu dedikohet nxënësve shqiptarë të Luginës së Preshevës, Shkodra është zëvendësuar me Nishin dhe shumë toponime e emërtime shqiptare, janë zëvendësuar me ato serbe.

Për të gjitha këto, ka qenë dakordimi dhe pëlqimi paraprak skandaloz i shtetit dhe i diplomacisë së Shqipërisë. (LajmeShqip.com)