Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 15:10

SHBA– Organizata “Transparency International” ka publikuar Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, duke renditur 176 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik. 

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, “Transparency International” e rendit Shqipërinë në vend të fundit, e ndërsa përpara nesh janë vende që pavarësisht krizave politike, kanë bërë një punë të mirë në luftën kundër korrupsionit. Sipas këtij indeksi, Shqipëria ka rënë me 18 vende. Kështu indeksi thekson se Shqipëria renditet në vendin e 113, duke pësuar rënie të madhe nga viti i kaluar, kur është renditur në pozitën numër 95. 

Ndërsa Kosova rezulton të ketë pësuar përmirësim duke u ngjitur 7 vende, duke u renditur në vendin e 105-të.  Performancat jo të mira në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012 përfshijnë edhe vendet e Eurozonës, të prekura nga kriza financiare dhe ekonomike. Në indeks Greqia rezulton në nivelin më të keq në të gjithë Evropën. “Transparency International” ka paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme Evropën që të adresojë rreziqet e korrupsionit në sektorin publik, për të trajtuar krizën financiare.

Maqedonia mbetet në të njëjtin nivel, teksa Bosnjë Hercegovina paraqet rezultat surprizë, duke u ngritur 19 vende më sipër. Përkeqësim duket dhe për Malin e Zi që tashmë ka zbritur 9 vende më poshtë.

Koreja e veriut renditet si shteti më i keq në drejtim të korrupsionit, përkrah Somalisë dhe Afganistanit. Teksa Shtetete e Bashkuara kanë pësuar 6 vende rritje, ndërsa Britania brenda një viti duket të ketë patur përkeqësim. 

PD: INDEKSI I “TRANSPARENCY INTERNATIONAL” NUK NA NJOLLOS
Partia Demokratike ka reaguar ndaj akuzave që kreu i opozitës Edi Rama dhe kreu i FRD-së Bamir Topi bënë pas daljes së raportit të “Transparency International” Deputeti Gerti Bogdani ne një dalje për mediat ka venë në dukje reformat e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Sipas deputetit demokrat, problem mbetet korrupsioni në gjyqësor. Madje në këtë kontekst, në emër të mazhorancës deputeti demokrat ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ish-presidentin Topi dhe ish-nënkryetarin e KLD-së Kreshnik Spahiu.

“Për raportin e TIA çifti Topi-Spahiu serviri shifrat. Spahiu e ish padroni i tij në krye të shitën një karrige gjykatësi 200 mijë euro. Transparenca platforma politike e qeverisë, e cila është histori suksesi, duke u bërë model për vendet e tjera. Indeksi nuk njollos punën e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe nuk i mashtorn shqiptarët”, theksoi Bogadani. 

SPAHIU: SALI BERISHA KRYEMINISTRI MË I KORRUPTUAR
Kryetari i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu ka mbajtur një konferencës për shtyp ku fillimisht ka kritikuar gjëndjen në të cilën kryeministri Sali Berisha sipas tyre e ka zhytur Shqipërinë sa i përket nivelit të korrupsionit. Gjatë fjalës së tij Spahiu deklaroi së “Sali Berisha e fundosi Shqipërinë në korrupsion duke bërë që vendi ynë të jetë më i korruptuari ndër vendet e Bashkimit Evropian. Sali Berisha është kryeministri më i korruptuar, është më i korruptuar se Hashim Thaci madje shumë herë më i korruptuar se Fatos Nano, dhe ky tashëm është një fakt zyrtarë i publikuar sëfundmi nga raporti i indeksit të korrupsionit nga “Transperency International”. 

Kryetari i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu i ka bërë apel qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian të izolojnë kryeministrin më të korruptuar sic është Sali Berisha. “Unë kam dy apele për të bërë publik sot. I pari i drejtohet vendeve të Bashkimit Evropian që duhet të izolojnë personin më të korruptuar i cili i ka vënë vendit vulën më të hidhur në këto 100 vite histori, atë të korrupsionit pakufij. Apeli i dytë i drejtohet të rinjve, brezit të ri të juristave shqiptarë, të cilët kanë detyrimin të dënojnë këtë individ që ka një lidhje të fortë më korrupsionin sepse Shqipëria bëhet vetëm me burgosjen e Sali Berishës”, deklaroi Kreshnik Spahiu.

TOPI: BERISHA FLET PËR SUKSESE IMAGJINARE
Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, ka akuzuar qeverinë për raporton që organizata “Transparency International” ka publikuar Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, e cila e rendiste vendin tonë 18 vende më poshtë se vitin e kaluar.

“Berisha flet për suksese imagjinare, ndërkohë vetëm sot raporti “Transparency International” e rendiste Shqipërinë 18 vende më poshtë, pra më të korruptuar se një vit më parë”, deklaroi Topi.

RAMA: DHURATA E QEVERISË PËR KËTË 100-VJETOR, SHUPLAKË PARA BOTËS
Kryesocialisti Edi Rama ka shprehur shqetësimin sot për raportin e TIA mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëri.
Me renditjen mes Etiopisë dhe Nigerisë, sipas Ramës, situata që paraqet raporti është dhurata më kuptimplotë që qeveria më e korruptuar në histori u ka bërë shqiptarëve në këtë 100-vjetor.

“Në këtë raport, kjo Shqipëri gjendet dhe më keq në tabelën e perceptimit të korrupsionit, jemi futur mes Etiopisë dhe Nigerisë. Shteti më i ri në botë ka përparuar krahasuar me një vit më parë. Sot Shqipëria dhe shqiptarët kanë marrë një shuplakë shumë të rëndë në sytë e botës. Degdisja e vendit tonë  e dërrmon kandidaturën e Shqipërisë në faktorin ndërkombëtar.
Moszbatimi i ligjeve janë në fakt 3 pengesat reale për statusin. Kjo është dhurata më kuptimplotë që qeveria u bën shqiptarëve kudo ndodhen në këtë 100- vjetor. Në 100 vjet shtet, sot shqiptarët kanë qeverinë e tyre më të korruptuar dhe zyrtarisht Shqipëria e 100- vjetorit ka rënë në batakun e korrupsionit botëror”.
Kryetari i Partisë Socialiste, Rama kërkoi që ky vit duhet lënë pas dhe të shohin përpara në vitet që vijnë, të cilët duhet të shërbejnë si vite të rilindjes së Shqipërisë.
“Vitet që vijnë duhet të jenë vitet e ngritjes, Shqipëria duhet të rilindë e të ringrihet. Amaneti i rilindësve nuk duhet të përdhoset”.

“Për ta nxjerrë Shqipërinë nga ky batak dhe turpërues turpin e sotëm duhet ta mbajnë ata që e kanë, ndaj të gjithë duhet të reagojmë dhe të ndryshojmë Shqipërinë, 2013 duhet të jetë viti i ndryshimit”.

Rama theksoi se korrupsioni nga qeveria ka kapur deri në borxhin publik.
“Ajo që ndodh kur shohim këtë tabelë turpëruese për Shqipërinë, është dhe leximi i faktit se ku venë borxhet që Saliu i merr në emër të shqiptarëve për karrierën e tij dhe që shqiptarët i paguajnë përditë duke qenë përditë e më të varfër e të papunë. Borxhi që ka kaluar çdo cak kthehet në korrupsion”.(LajmeShqip.)